Turqia bllokon anijen siriane me armë

24/09/2011 00:00

Turqia ka sekuestruar një anije me flamur sirian, të ngarkuar me armë.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Recep Tayyip Erdogan, i cili nuk
ka saktësuar vendin se ku u ndalua mjeti lundrues.

Kryeministri ka theksuar se shteti turk do të konfiskojë cdo ngarkesë me armë për Sirinë që do të kalojë përmes ujërave ose hapësirës ajrore të Turqisë.

Zoti Erdogan ka kritikuar vazhdimisht ofensivën e dhunshme të qeverisë siriane ndaj protestuesve. Javën e kaluar ai tha se, epoka e diktatorëve shtypës ka marrë fund.

“Turqia ka bllokuar një anije me flamur sirian që transportonte armë. Nëse në të ardhmen do të ketë ngarkesa me armë që kalojnë përmes hapësirës detare ose ajrore turke, ne do t’i ndalojmë”, ka deklaruar Erdogan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Lajmi në fjalë vështirëson edhe më tej marrëdhëniet e komplikuara mes dy vendeve, dikur aleate, deklarojnë korrespondentët e mediave ndërkombëtare.

Më herët gjatë javës, zoti Erdogan tha për gazetarët se Turqia prej kohësh nuk ka kontakte me lidershipin sirian dhe e paralajmëroi këtë të fundit për sanksione.

Ankaraja gjithashtu organizoi një konferencë me grupet opozitare siriane më herët gjatë muajit. Gazetarët e huaj nuk lejohen të hyjnë në Siri dhe për rrjedhojë agjencitë e lajmeve bazohen në informacione të pakonfirmuara dhe nga ato të dhëna nga grupet e aktivistëve.

Sipas OKB-së, mbi 2200 persona kanë mbetur të vrarë në Siri që nga nisja e protestave anti-qeveritare më shumë se pesë muaj më parë.

Qeveria insiston se ka një reformë politike në programin e saj, por liderët e opozitës deklarojnë se në vend nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira e të ndershme përsa kohë partia Baath do të jetë në pushtet.

Top Channel