Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet do të kërkojë amendimin e ligjit për gjendjen civile si rrjedhojë e vendimit të marrë nga Gjykata Kushteuese pak ditë më parë, e cila e ka rrëzuar atë në lidhje me nocionin e kombësisë dhe me proçedurat e ndryshimit të saj.

“Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që nuk është zbardhur akoma, por që kërkon përkufizim të termit kombësi apo përkatësi etnike. Ne do të presim vendimin dhe në varësi të tij, ne do të kërkojmë amendimin e ligjit për gjendjen civile, në mënyrë të tillë që të kemi koncept të qartë dhe objektiv të kombësisë e cila saktësohet vetëm në zyrat e gjendjes civile mbi bazën e dokumenteve dhe jo mbi bazë vetëshpalljes momentale të frymëzuara nga emocione apo nga shtrëngesat ekonomike të tranzicionit”, është shprehur Idrizi.

Shpëtim Idrizi e vuri theksin tek roli i luajtur nga forca që ai drejton në miratimin në Kuvend të amendamenteve të cilat, siç tha ai, minimizojnë apo nuk lejojnë tërësisht manipulimin me vetëdeklarimin e fesë dhe kombësisë gjatë regjistrimit të popullsisë.

“Ne përsërisim kundërshtit tona për këtë proçes i cili duhet të ishte kushtetues, jo vetëm përsa i përket përkatësisë etnike, por edhe asaj fetare. Ndaj ne propozuam që ligji për regjistrimin si pjesë e një kuadri të plotë rregullativ, pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën”, tha ai.

Sipas zotit Idrizi, PDIU do të vazhdojë të luftojë për të bashkuar shqiptarët në një botë të vetme, jo përmes ndryshimit të kufijve, por me një politikë kulturore, arsimore e ekonomike të përbashkët.

Shpëtim Idrizi i bëri këto deklarata gjatë takimit me të zgjedhurit vendorë të kësaj force politike, të cilëve u kërkoi përkushtim dhe angazhim për rritjen e mëtejshme dhe përfaqësimin edhe më të madh në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA