Në vazhdën e takimeve me zyrtarë të lartë në OKB, kryeministri i
Kosovës, Hashim Thaci takoi shefen e Politikës së Jashtme të BE,
Catherine Ashton.

Sipas një njoftimi të qeverisë së Kosovës, gjatë takimit zoti Thaci mori garancinë për perspektivën “e sigurtë” evropiane të Kosovës.

Nga ana e tij, Thaci siguroi shefen e diplomacisë evropiane për vijimin e dialogut me Serbinë dhe për kryerjen e reformave.

“Qeveria e Kosovës është e vendosur për të vijuar reformat jetike në politikë, ekonomi dhe legjislacion, si dhe për zbatimin e rendit dhe ligjit, me qëllim përmbushjen e axhendës evropiane”, deklaroi Thaci.

Më vonë kryeministri kosovar u takua edhe me homologun turk Recep Tayyip Erdogan, me të cilin diskutoi për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, në vecanti në fushën e ekonomisë.

Clinton: Territori i Kosovës, i paprekshëm

SHBA mbështesin fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe shtrirjen e autoritetit të institucioneve kosovare në gjithë territorin.

Ka qenë ky mesazhi që u ka përcjellë autoriteteve kosovare sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Në takimin e zhvilluar në Nju Jork me presidenten Jahjaga, kryeministrin Thaci dhe zëvendëskryeministrin Pacolli, Clinton vlerësoi se bashkëpunimi i Prishtinës me EULEX dhe KFOR është i një rëndësie të vecantë.

Shefja e diplomacisë amerikane inkurajoi autoritetet kosovare për vazhdimin e këtij bashkëpunimi, si dhe theksoi mbështetjen e SHBA ndaj orientimit evropian të Kosovës.

“Administrata amerikane do të vazhdojë angazhimin e saj në ndihmë të Kosovës, në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane”, nënvizoi Clinton.

Sekretarja e Shtetit tha ndër të tjera se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë për të ecur përpara dhe përshëndeti përkushtimin e Kosovës për këtë proces.

Gjithashtu, ajo inkurajoi thellimin e reformave të brendshme në Kosovë dhe i dha përkrahje presidentes Jahjaga në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA