Turqia nis kërkimet për naftë në Qipro

23/09/2011 17:50

Turqia ka dërguar një anije eksploruese për të kërkuar naftë dhe gaz në ujërat turke në veri të Qipros.

Ankaraja ka paralajmëruar se do të vijojë këtë ekspeditë nëse qipriotët grekë nuk anulojnë planet e tyre analoge në jug të vendit.

Qipriotët grekë insistojnë se u takon atyre e drejta për të kërkuar gaz dhe naftë, por Turqia kundërshton me pretendimin se burimet natyrore “offshore” u përkasin të dyja komuniteteve të ndara nga ishulli.

Tani që Qiproja është vend anëtar i BE-së, diskutimet mbi sovranitetin e tij përbëjnë një pengesë të madhe për anëtarësimin e mundshëm të Turqisë në bllokun evropian.

Pamjet direkte të anijes “Piri Reis” teksa linte portin e Izmirit u transmetuan në televizionin publik turk. Anija nuk mbrohej nga mjete lundruese ushtarake, sikundër ishte paralajmëruar më herët nga qeveria turke.

Tensionet në rajon u ngritën pasi qipriotët grekë njoftuan të martën se gërmimet për naftë dhe gaz kishin filluar në një zonë jug-lindore, duke prekur ujërat territoriale të Izraelit.

Gërmimet po kryhen nga kompania me bazë në Teksas, Noble Energy. Kryeministri Erdogan e ngriti cështjen në fjalë edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ditën e enjte.

Turqia nuk e njeh Qipron, që është ndarë që nga viti 1974 në pjesën veriore të kontrolluar nga Turqia dhe në pjesën jugore të kontrolluar nga Greqia.

Muajin e kaluar qeveria greke e Qipros njoftoi se po planifikonte të fillonte kërkimet për naftë në ujërat e ishullit. Ankaraja e bëri të qartë se ajo nuk ka juridiksion dhe kërkoi ndërprerjen e shpimeve.

Si Kombet e Bashkuara edhe Bashkimi Europian i kanë bërë apel të dyja palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të arrijnë sa më shpejt në një zgjidhje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA