Shtetet e Bashkuara të Amerikës bëjnë thirrje për qetësi në veri të
Kosovës. Departementi i Shtetit ka shpërndarë të enjten për mediat
qëndrimin e qeverisë amerikane të paraqitur në Këshillin e Përhershëm të
OSBE-së në Vjenë, ku përshëndetet vendosja e doganierëve të Kosovës në
pikat kufitare në veri.

“Kosova është shtet sovran. Prania e nëpunësve doganorë të Kosovës në kalimet kufitare është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar. Prania e nëpunësve doganorë të Kosovës përkrah nëpunësve të EULEX-it në kalimet kufitare në veri është një reflekim i procedurave normale doganore për kalimet kufitare ndërkombëtare,” thuhet në qëndrimin e qeverisë amerikane, bën të ditur RTK.

Sipas njoftimit, SHBA-të kanë mbështetur rivendosjen e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe kanë shfaqur pakënaqësi për barrikadat dhe bllokimin e mallrave të Kosovës nga Serbia.

“Ne parë se kalimi i mallrave dhe njerëzve nëpër dy pikat kufitare në veri po bllokohet nga serbët përtej veriut dhe nga serbët e Kosovës në veri të Kosovës dhe jo nga Kosova apo ndërkombëtarët. Bllokadat në rrugë dhe barrikadat vetëm se vështirësojnë jetën e përditshme të njerëzve në Kosovë dhe në Serbi dhe pengojnë lirinë e tyre të lëvizjes,” thuhet ndër të tjera në qëndrimin më të ri amerikan rreth veriut të Kosovës.

Gjermania: Serbia të pranojë kufijtë

Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Wolfram Mass ka deklaruar se, njerëzit që mendojnë se mund të jetojnë vetëm atje ku vetëqeverisin nuk janë të pranueshëm për Evropën.

Duke folur në një seminar për perspektivën evropiane të Ballkanit, Mass ka thënë se serbët dhe të huajt e tjerë që jetojnë në Gjermani e kanë pranuar atë si vendin e tyre.

Diplomati ka përsëritur kështu mesazhet që vetë kancelarja Angela Merkel dha para pak kohësh, gjatë një vizite në Beograd.

Ki Moon: Veriu, zgjidhje me dialog

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon në takimin me presidentin serb Boris Tadic, është shprehur se problemet në lidhje me Kosovën duhen zgjidhur me dialog.

Numri 1 i Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin e tij për përkeqësimin e situatës në veri të Kosovës, duke theksuar se është e nevojshme ruajtja e paqes.

Mësohet gjithashtu se Ki Moon ka nënvizuar se institucionet ndërkombëtare në Kosovë duhet të mbajnë status neutral.

BE, shqetësim për situatën në veri

Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka thënë se BE-ja është e shqetësuar për situatën në veri dhe moszbatimin e marrëveshjes për tregti të lirë dhe se Brukseli është në kontakt të vazhdueshëm me Beogradin.

Kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton dhe as emisari i saj në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, nuk i kanë kthyer përgjigje Beogradit për propozimin që ka bërë për funksionimin dy pikave doganore në Veri.

Kryenegociatori serb, sipas Telegraf, Borko Stefanovic thotë se e ka vështirë të marrë pjesë në dialog nëse nuk përfshihet tema e doganave në Veri.

Qeveria e Kosovës ka shfuqizuar vendimin për reciprocitet ndaj mallrave serbe, por Beogradi ende nuk lejon eksportin e mallrave kosovare në Serbi dhe as të kalojnë përmes territorit të saj, pavarësisht se e ka pranuar vulën doganore të Kosovës.

Zëdhënësja e Baroneshës Ashton ka thënë për Express se “dëshirojnë që embargoja të hiqet sa më shpejt që të jetë e mundshme”.

“EULEX është mision i BE-së dhe është duke vepruar plotësisht në përputhje me mandatin që ka. Ky është zbatim i marrëveshjes për vulat doganore”, ka thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Ashton.
 

Serbët vendosin barrikadat

Qindra serbë të tubuar afër pikës kufitare në Jarinje kanë këputur me buldozer telat me gjemba të KFOR-it që ishin të vendosura në rrugën alternative afër Jarinjës, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas burimeve, ata po ashtu kanë bllokuar një xhip të KFOR-it duke shtyrë zhavorrin përreth automjetit nga të gjitha anët.
 
“Grupe ekstremiste serbe vazhdimisht me kamionë po sjellin zhavorr duke përforcuar kështu barrikadat e tyre të vendosura në këtë zonë”, kanë thënë burimet, duke shtuar se situata është e tensionuar, ndërkohë që po arrin përforcime të reja të ushtarëve të KFOR-it nga kampi ushtarak “Nothing Hill” që ndodhet në afërsi të pikës kufitare.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA