Në Komisionin e Lustrimit në Maqedoni janë paraqitur përcarje mes anëtarëve. Cedo Damjanovski ka akuzuar se lustrimi po zhvillohet në mënyrë selektive pasi anëtarët e propozuar nga partitë në pushtet prioritet i japin shqyrtimit të dosjeve të ish-funksionarëve dhe anashkalojnë dosjet e funksionarëve aktual.
Sipas ligjit për lustrim, personat për të cilët do të konstatohet se kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete, nuk mund më të ushtrojnë asnjë funksion publik.
“Prej muajit maj e deri më tani janë shqyrtuar dosjet e 5200 ish-funksionarëve dhe vetëm 200 funksionarëve aktualë. Mendoj se komisioni nuk po e respekton qëllimin kryesor të ligjit që është të pengohen bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete të ushtrojnë edhe më tutje funksione publike”, tha Çedo Damjanovski, anëtar i Komisionit për Lustrim.
Ndërkohë, komisioni të enjten ka shqyrtuar dosjet e anëtarëve të akademisë maqedonase. Dyshohet se katër në të kaluarën kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete. Ndonëse emrat e tyre akoma nuk janë publikuar, mediat në Shkup kanë njoftuar se në mesin e tyre ka edhe shqiptarë. Nga komisioni për lustrim thonë se në javën tjetër do të dihet përfundimisht nëse katër akademikët kanë qenë bashkëpunëtor apo të ndjekur nga shërbimet sekrete.
“ Shqyrtuam dosjet e 42 akademikëve. Në mbledhje u vendos që të njëjtat dosje të shqyrtohen edhe një herë në takimin e radhës. Tani për tani nuk mund të verifikohen deklaratat e dorëzuara se katër prej tyre në të kaluarën nuk kanë qenë bashkëpunëtorë”, thotë Tome Axhiev, kryetar i Komisionit për Lustrim në Maqedoni.
Nga lustrimi i dosjeve të mbi 10 000 personave deri më tani vetëm gjashtë prej tyre janë shpallur bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.
Top Channel