Në Kabul u zhvillua sot nën masa të rrepta sigurie ceremonia mortore për
negociatorin e paqes, Burhanuddin Rabbani, i vrarë tre ditë më parë me
një autobombë.
Presidenti Hamid Karzai u bashkua me pjesëmarrësit në homazhet që të ndjerit iu bënë në pallatin presidencial, para se të varrosej mes emocioneve në një zonë kodrinore të Kabulit.
Karzai u tha të pranishëmve se shteti i tij do të vazhdojë negociatat për procesin e paqes.
“Gjaku i martirit dhe martirëve të tjerë të lirisë na kërkon që të vazhdojmë përpjekjet derisa të arrijmë paqe dhe stabilitet”, deklaroi Karzai.
“Është përgjegjësia jonë të veprojmë kundër atyre që janë armiq të paqes, që përdorin truke dhe mashtrime për të vrarë dhe që abuzojnë me zakonet afgane e islame”, u shpreh ai.
Ushtarakë të veshur me kapele dhe me doreza të bardha mbajtën arkivolin dhe e mbuluan atë me flamurin kombëtar, teksa e transportonin për në një tryezë të posacme në pallatin presidencial.
Më pas, zyrtarë të shumtë u afruan për t’i bërë homazhet e tyre Rabbani-t, duke u përkulur përpara arkivolit të tij.
“Sot ne jemi dëshmitarë të një prej ngjarjeve më të trishtuara dhe më të mëdha të politikës së sotme botërore”, tha gjatë ceremonisë i biri i Rabbani-t, Salahudin.
Gjatë evenimentit janë dëgjuar të shtëna armësh zjarri, por policia tha se kishte qëlluar në ajër për të shpërndarë disa turma njerëzish që godisnin me gurë makinat e disa zyrtarëve.
Disa prej pjesëmarrësve në këto turma bërtisnin parullat: “Vdekje Amerikës, vdekje Pakistanit, vdekje Karzait”.
Afganistan, vritet negociatori me talebanët
Kreu i Këshillit të Lartë për Paqen në Afganistan u vra pas një sulmi me bombë në Kabul.
Burhan Udin Rabani po zhvillonte një takim me dy përfaqësues të talebanëve në shtëpinë e tij. Sic raporton BBC, ishte njëri prej tyre, kamikazi, i cili kishte fshehur eksplozivin në callmën e tij. Këshilli i Lartë për Paqen udhëheq përpjekjet për negociatat me talebanët.
Rabani, ish president i Afganistanit nga viti 1992 deri më 1996 si dhe u rizgjodh në 2001. Fill pasi mësoi lajmin presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai vendosi të ndërpresë vizitën në Shtetet e Bashkuara, por zhvilloi një takim të shkurtër me presidentin amerikan, Barak Obama i cili dënoi vrasjen, duke e quajtur një humbje tragjike.
Top Channel