Julian Assange ka kritikuar vendimin e shtëpisë botuese britanike për të hedhur në treg biografinë pa autorizimin e tij.
Shtëpia botuese, “Canongate Books”, njoftoi se biografia e Assange do të shitet nëpër librari por edhe online.
Babai i Wikileaks akuzoi shtëpinë botuese “Canongate Books” se po përfiton nga një lapsus i kontratës së nënshkruar mes dy palëve.
Tashmë i rënë vetë pre e “publikimeve të paautorizuara”, Assange këmbengul se publikimi i biografisë së tij s’ka kurrëfarë lidhje me “të drejtën e informimit”, të trumpetuar aq fort prej tij gjatë publikimit të kabllogrameve që shkaktuan jo pak dhimbje koke për diplomacinë amerikane.
“Ngjarjet që lidhen me publikimin e paautorizuar të Canongate nuk kanë lidhje me të drejtën e informimit. Të tilla publikime bëhen vetëm për përfitime”, tha Assange për gazetarët.
Biografia, fëmijëria dhe pasioni për kompjuterat
Libri është publikuar pavarësisht faktit se zoti Assange ishte përpjekur ta anulonte projektin.
Sipas botuesve, zoti Assange nënshkroi një kontratë më 20 dhjetor të vitit 2010 me “Canongate Books”, për të shkruar një libër, pjesërisht në forme kujtimesh dhe pjesërisht si manifest.
Pasi kaloi më shumë se 50 orë bisedime me shkrimtarin që do të shkruante librin, ai tha se dëshironte ta anulonte kontratën.
“Të gjitha kujtimet janë njësoj si prostitucioni”, tha Assange, sipas botuesve, pasi lexoi pjesët e para të librit.
Por botuesit thonë se paradhënia që i ishte dorëzuar Assange ishte shpenzuar për cështjet e tij ligjore dhe për rrjedhojë kontrata mbetet në fuqi.
Kështu, ata vendosën ta publikojnë autobiografinë pa konsensusin e zotit Assange dhe pa e informuar atë me saktësi se kur libri do të dalë.
Libri, një version i të cilit është vëzhguar nga BBC, tregon për fëmijerinë e Assange në Australi dhe se si ai u tërhoq nga kompjuterat dhe pirateria informatike.
Wikileaks, në ankand sendet e Assange
Faqja e internetit Wikileaks ka nxjerrë në shitje një koleksion objektesh të vecanta të lidhura me themeluesin e saj, Julian Assange.
Veprimi në fjalë synon të rrisë të ardhurat për web site-n. Mes objekteve të vendosura në eBay janë një qese me kafe burgu dhe një kompjuter laptop.
Ankandi ka nisur me cmimet 315 dollarë për kafenë dhe 6 mijë dollarë për kompjuterin. Wikileaks ndodhet nën një presion të madh financiar, për shkak se burimet e financimit të saj janë shteruar.
Faqja në fjalë është kritikuar ashpër nga qeveri të ndryshme pasi ka publikuar mesazhe “pikante” diplomatike të SHBA, të cilat sipas analistëve mund të vënë në rrezik personat që tregohen si burime.
Përplasjet mes Assange dhe bashkëpunëtorëve të tij lidhur me stilin e menaxhimit kanë dëmtuar akoma më shumë web site-n.
Vetë Assange është gjithashtu duke luftuar kundër ekstradimit të tij në Suedi, ku akuzohet për abuzim seksual ndaj dy femrave.
Objektet e nxjerra në shitje kushtojnë shumë për shkak të lidhjes së tyre me Assange. Një fotografi e tij, shitja e të cilës nis me 947 dollarë, mban shkrimin “Julian A, Ellingham Hall, 10 korrik 2011, nën arrest shtëpie dy ditë para paraqitjes në gjykatë”.
Ndërsa qesja me kafe thuhet se është nxjerrë ilegalisht nga burgu ku Assange qëndroi për disa ditë, para se të lirohej me garanci në dhjetor të vitit 2010.
Assange: Kabllogramët mund të shkaktojnë dëme
Julian Assange, numri një i Wikileaks, pranon se publikimi integral dhe i pa redaktuar i të dhënave sensibël, të të gjitha kabllogramëve të diplomacisë amerikane mund të shkaktojë dëme.
“Nuk mendoj se do ketë shumë”, ka shtuar megjithatë Assange.
Ai ia ka hedhur fajin “një neglizhence” të Guardian që kishte publikuar fjalëkalimin për të hyrë në arkiv.
Top Channel