Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abaz pas fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit do t’i paraqesë të premten Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun kërkesën me shkrim për anëtarësimin e Palestinës në OKB.
Nëse ai do ta miratojë, atëherë Këshilli i Sigurimit do ta hedhë në shqyrtim e votim. Për t’u miratuar, do të duhen nëntë nga 15 vota të anëtarëve, por asnjë veto. Cdo rekomandim i Këshillit të Sigurimit për anëtarësim, kërkon për miratimin përfundimtar, 2 /3 në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë.
Cfarë po kërkojnë palestinezët?
Ata përfaqësohen nga Autoriteti Palestinez, i cili për një kohë të gjatë ka patur vetem një qellim; krijimin e një shteti të pavarur sovran në Bregun Perëndimor, përfshirë këtu Jeruzalemin Lindor dhe Gazan, të pushtuar nga Izraeli prej luftës së vitit 1967.
Përgjatë dy dekadave të bisedimeve që herë nisnin e një herë bllokoheshin, nuk u arrit dot asnjë marrëveshje për paqen. Raundi i fundit i bisedimeve përfundoi vitin e kaluar.
Pas kësaj, zyrtarët palestinezë zbatuan një strategji të re, duke i kërkuar vendeve të njihnin një shtet të pavarur palestinez në kufijtë e vitit 1967.
Aktualisht, Organizata për Clirimin e Palestinës ka vetëm status vëzhguesi. Kjo mund të ketë pasoja politike dhe i lejon palestinezëve t’i bashkohen agjensive të OKB-së, të bëhen palë në traktatet ndërkombëtare, sic është edhe Gjykatën Penale Ndërkombetare, ku mund të ndërmerren hapa ligjore për të sfiduar pushtimin e territorit nga Izraeli.
Cfarë parashikohet?
Këshilli i Sigurimit duhet ta miratojë me nëntë nga 15 votat e anëtarëve, por nuk duhet të ketë asnjë veto. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë për aq kohë, sa Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar se do të vendosin veton. Britania dhe Franca do të abstenojnë sepse nuk mund të mbështesin anëtarësimin e një shteti që ata nuk e njohin.
Nëse SHBA vendos veton, sic pritet ose nëse Organizata për Clirimin e Palestinës tërhiqet nga plani për anëtarësimin e plotë, atëhere mund t’i paraqesë një rezolutë Asamblesë së Përgjithshme. Votimi duhet të bëhet brenda 48 orëve, por mund të vonohet deri në Debatin e Përgjithshëm në fund të shtatorit apo fillim të tetorit. Kjo do të garantojë më shumë kohë për të negociuar, për të marrë mbështetje maksimale, nga vendet europiane në vecanti.
Për miratimin do të duhet një shumicë e thjeshtë e të pranishmëve dhe nuk do të ketë asnjë veto. Rezoluta mund të kërkojë për palestinezët statusin e vendit vezhgues, jo anëtar, një shkallë më lartë se statusi i vëzhguesit. Ky status mbahet nga Vatikani dhe e kanë patur në të shkuarën edhe vende si Zvicra.
Kjo do të përmirësojë shanset e palestinezëve për t’ju bashkuar agjensive të OKB dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare megjithëse procesi nuk do të jetë as automatik dhe as i garantuar. Njohja e Palestinës në OKB gjithësesi do të ketë një vlerë simbolike.
Kryeministri izraelit Netanjahu kundërshton kthimin në kufijtë e 1967, duke e cilësuar zgjidhje jorealiste dhe të papërligjshme. Ai i referohet ndryshimit të fakteve në terren. Mbi gjysmë milionë izralitë jetojnë në mbi 200 vendbanime në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.
Gjithcka ndodh tani në shtator sepse përkon me fundin e afatit të caktuar nga Kuarteti për Lindjen e Mesme për të ashtuquajturën zgjidhje me dy shtete. Edhe Presidenti amerikan Barak Obama vitin e kaluar shprehu shpresën për arritjen e saj.
Palestinezët thonë se kanë ngritur institucionet dhe janë gati për krijimin e shtetit. Kështu mendon edhe Banka Botërore dhe FMN.
Top Channel