Berisha: Mirëpresim propozimet e opozitës

22/09/2011 19:05

Kryeministri Sali Berisha ka fajësuar opozitën për prapambetjen e Shqipërisë në proceset e integrimit evropian.

Në një intervistë për VOA nga Nju Jorku, Berisha është shprehur se bllokimi i këtij procesi ka ardhur si pasojë e politikave bllokuese të opozitës.

“Brukseli ka bërë punën e tij, bllokimi është në Tiranë. Nëse është pritur deri në ditën e fundit për të mos votuar ligjet për reformat, kjo ka pasur qëllimin e vetëm për të bllokuar këtë proces”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, nëse kërkohet që të nisë puna për reformën zgjedhore, kjo nuk është cështje e Brukselit, por e Tiranës.

“Është cështje e atyre që kanë zgjedhur bllokimin e një procesi që kërkon ligje me 3/5. Opozita është e njohur për bllokimet e saj, që i ka bërë edhe për vizat, por nuk ia arriti pasi vizat nuk kërkonin ligje”, ka pohuar Berisha.

Megjithatë, kryeministri është shprehur optimist për nisjen e një kapitulli të ri, gjatë të cilit të implementohen reformat, në vecanti ajo zgjedhore, sipas rekomandimeve ndërkombëtare.

“Gjithësesi, e shkuara mund të mbyllet dhe të votohen ligjet, të bëhet reforma zgjedhore dhe të adresohen rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet. Statusi i kandidatit Shqipërisë i është caktuar me kusht që të plotësohen këto kërkesa”, ka deklaruar Berisha.

“Nga ana e saj, qeveria i ka plotësuar dhe po i plotëson kërkesat që nuk janë me 3/5. Ndërsa opozita ka përdorur pushtetin e dhënë nga qytetarët jo për të votuar, por për të bllokuar, ashtu sic bëri me vizat. Uroj që të jenë nxjerrë mësimet e duhura nga politika e bllokimeve, pasi në zgjedhjet lokale qytetarët i dhanë asaj politike përgjigjen e merituar”, ka vijuar kryeministri.

“Në vitin 2009 reforma u bë në një kohë optimale. Mund të bëhet edhe tani. Ne i mirëpresim propozimet e opozitës. Është e drejtë e opozitës për të kërkuar rishqyrtim të këtyre ligjeve në komisionet parlamentare, por ne urojmë të mos jetë një taktikë bllokuese”, ka theksuar Berisha.

Më tej kreu i qeverisë ka përsëritur deklaratat e bëra një ditë më parë në bursën e Nju Jorkut, Nasdaq dhe në kanalin prestigjoz amerikan CNBC, se Shqipëria nuk është prekur nga kriza greke e borxhit.

“Në Shqipëri investimet u rritën me 315 për qind, eksportet me 300 për qind, u realizuan programet e punëve publike në një kohë rekord. Duke vlerësuar të gjitha këto, është reale se kriza ka pasur reflektimet e saj. Nëse s’do kishte qenë ajo, rritja ekonomike nuk do kishte qenë 3 ose 4 për qind, por 13 për qind”, ka shtuar Berisha.

Ndërsa përsa u përket cështjeve ndërkombëtare që po trajtohen në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Berisha është pyetur nga VOA për Palestinën, për të cilën ka thënë se: “Duhet dialog intensiv”.

Vetë Autoriteti Kombëtar Palestinez, përmes ambasadorit të tij në Tiranë, ka deklaruar se shpreson që Shqipëria të votojë pro njohjes së shtetit palestinez. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA