Pas reagimeve të mëdha disa ditë më parë në shtypin grek për festën e 20 vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë apo vendosjes së statujës së Aleksandrit të Madh në Shkup, kritikat janë përqendruar tashmë tek vizita e parë e një ministri te kabinetit Gruevski në Athinë, asaj të zëvendëskryeministres për çështjet europiane, Teuta Arifi e ftuar nga homologu i saj, Theodhoros Pangalos.
Kjo për faktin se gazeta maqedonase në gjuhën shqipe, “Lajmi”, ka pohuar se dy zëvendëskryeministrat do të komunikojnë në gjuhën shqipe,pasi shqipja është gjuha mëmë e të dy politikaneve.
Burime pranë zonjës Arifi kanë deklaruar se, biseda do të jetë në gjuhën e marrëveshjes, në gjuhën e vullnetit të mirë dhe nëse ajo gjuhë është gjuha shqipe, atëherë le të jetë ajo. Deklarata konsiderohet si provokim nga shtypi grek.
Sipas gazetës greke ‘Proto Thema’ shumë media të Shqipërisë, Kosovës dhe Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë përpiqen sistematikisht të paraqesin në mënyrë sfidante arvanitët e Greqisë si pjesë e diasporës shqiptare, duke cilësuar si shqiptarë midis të tjerëve edhe shumë heronj të revolucionit të 1821, si Marko Bocari etj.
Ende nuk ka një përgjigje për këtë deklaratë nga zyra e zvkryeminstrit grek.
Vizita e Arifit në Athinë bëhet me ftesë të zoti Pangalos pas një letre të saj, nëpërmjet së cilës kërkonte nga ai bashkëpunim në shenjë të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Numri dy i qeverisë greke përvec ftesës për një takim bilateral në dhjetor të këtij viti, është treguar i gatshëm të ofrojë edhe ndihmë teknike përsa i përket anëtarësimit të Shkupit në BE.
Top Channel