SHBA, presion Tiranës për Iranin

21/09/2011 19:35

Një përpjekje e Teheranit për t’ju afruar Shqipërisë, u ndoq me shumë vëmendje nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe sekretarja Clinton i kërkoi qeverise shqiptare të mos nënshkruajë asnjë marrëveshje me Iranin.

Gjithcka zbulohet përmes një kabllogrami të publikuar nga Wikileaks. Më 10 Nëntor 2009, Sekretarja e Shtetit, Clinton i dërgon ambasadorit Withers dhe zëvendësambasadores Jones, dokumentin konfidencial përmes të cilit i kërkon të ndërmarrin demarshet e duhura, për të nxitur që qeveria e Shqipërisë të kundërshtojë propozimet e qeverise iraniane për të nënshkruar marrëveshje të tregëtisë së lirë dhe shkëmbimeve kulturore, apo krijimin e një linje ajrore iraniane në Shqipëri.

Kabllogrami i referohet informacioneve të marra nga Tirana. Zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi kishte treguar se Ministri i Jashtëm Ilir Meta, kish mbetur i habitur kur ambasadori iranian në Tiranë i kishte dërguar dy projekt/marrëveshje, një për tregtinë e lirë dhe një tjetër për programe shkëmbimi në fushën e arsimit. Harxhi i kishte cilësuar si të vjetra interesat iraniane në këto cështje, duke nënvizuar se autoritetet e Teheranit po shtyjnë për nënshkrimin e tyre.

Përmes Harxhit, Departamenti mësoi se Agjencisë shqiptare të Aviacionit Civil i ishte kërkuar nga një kompani fluturimi shqiptare të lehtësonte fluturimet nga Teherani në Tiranë. Madje, drejtori i marketingut të kësaj kompanie do të udhëtonte për në Teheran për t’u takuar me homologët e tij.

Në kabllogram shkruhet se: “Harxhi tha se Teherani kërkon ta përdorë Tiranën si një nyje për fluturimet private çarter në Europën Perëndimore duke shmangur Gjirin”.

Por si i shihte Departamenti Amerikan i Shtetit këto ndërhyrje:

“Një përpjekje për të krijuar përshtypjen e një bashkëpunimi ekonomik dhe politik, për të tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga programi bërthamor, zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik duke vendosur fluturime direkte nga Tirana dhe Teherani do të përforconte besimin e Iranit se rruga e tij është e pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare dhe se Teherani nuk ka asnjë arsye të rregullojë sjelljen për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare. Nga ana tjetër forcimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me Iranit nuk do të përkonin me dëshirën e Shqipërisë për integrimin euro-atlantik. Në tregun e vogël shqiptar, fluturimet që nisen apo përfundojnë në Tiranë do të krijonin përshtypjen e një zone ndikimi më të madhe të Iranit në Shqipëri”.

Sipas Departamentit të Shtetit përpjekjet e Iranit nuk ishin gjë tjetër vec për të shkelur sanksionet ndërkombëtare, duke kërkuar vende të reja për të bërë biznes.

Dokumenti diplomatik thotë se fluturimet direkte do ta ekspozonin Shqipërinë përballë rrezikut për t’i kontribuar padashje përhapjes së aktiviteteve bërthamoreve dhe mbështetjes së aktiviteteve terroriste.

Pasi përmenden shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Irani, sekretarja Clinton shkruan se cdo zgjerim i marrëdhënieve ajrore mes Shqipërisë dhe Iranit rrezikon që territori shqiptar apo agjensitë e transportit me flamur shqiptar të bien në grackën e trukeve të paligjshme të Teheranit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA