Libi, Gaddafi po humbet kontrollin në Sabha

21/09/2011 18:35

Këshilli Kombëtar i Tranzicionit në Libi deklaron se trupat rebele kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit Sabha, 750 kilometra në jug të Tripolit.

Drejtuesit e KKT-së thonë se kanë arritur në qendrën e qytetit, por ka ende rezistencë në disa zona të tij.

Sabha konsiderohej si një nga bastionet kyce të forcave besnike të liderit në arrati Muammar Gaddafi. Ndërkohë, raportohet për shumë viktima në Hun, në afërsi të qytetit të shkretë, Jufra.

“Ka dhjetra persona të vrarë dhe të plagosur në qytet dhe ne nuk mund t’i arrijmë për shkak të bombardimeve të ashpra të forcave të kolonelit”, ka deklaruar një dëshmitar për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Luftime të ashpra vazhdojnë gjithashtu edhe në bastionet e tjera të Gaddafi-t, Bani Ualid dhe Sirte.

“Ne kontrollojmë pjesën më të madhe në Sabha, përvec zonës Al Manshija. Ka ende rezistencë, por së shpejti ajo do të përfundojë”, ka deklaruar zëdhënësi i KKT-së, Ahmed Bani.

Ndërsa Mohammed Wardugu, që po merr pjesë në luftimet në këtë zonë, shkoi më tej duke i thënë “AFP” se qyteti është tërësisht nën kontrollin e kryengritësve.

KKT tha të hënën se trupat e tij kanë marrë nën kontroll aeroportin dhe kanë kapur një garnizon në Sabha, duke burgosur 150 trupa të Gaddafi-t.

Libi, kryengritësit vazhdojnë sulmet

Kryengritësit, apo forcat pro-qeverisë së përkohshme në Libi po avancojnë, megjithëse me ngadalë, në Sirte, e konsideruar si fortesë e besnikëve të Kolonelit Muamar Gedafi. Përleshjet janë intensifikuar edhe në Bani Valid.

Vendndodhja e kolonelit nuk dihet ende. Ai është në arrati prej muajit gusht, kur forcat kryengritëse morën nën kontroll Tripolin. Besnikët e tij vazhdojnë të mbajnë nën kontroll Sirten, Bani Validin dhe disa qytete të tjerë, ndërsa trupat e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit po përpiqen të marrin nën kontroll të gjithë Libinë.

Një zëdhënës i Këshillit Ushtarak në Misurata, në bregdetin mes Sirtes dhe Tripolit tha se kryengritësit kanë avancuar, duke ju afruar prej 7 km qendrës së qytetit.  

Lëvizja e tyre është e ngadaltë, shpeshherë janë vënë në shënjestër të granatave dhe armëve. Sipas BBC-së, ka raportime kontradiktore, ndërsa zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Tranzicionit flet për kontrollin e aeroportit dhe një baze ajrore, në terren kryengritësit thonë se vazhdojnë luftimet në afërsi të aeroportit.  

Në qytet mungon energjia elektrike, ushqimet, uji i pijshëm apo medikamentet. Të paktën 8 luftëtarë u vranë të shtunën duke e çuar në 30 numrin e të vrarëve.

Shumë të tjerë u plagosën. Ka raportime kontradiktore për bombardimin e NATO-s në Sirte që vuri në shënjestër një numër të madh luftëtarësh të Gedafit.

Zëdhënësi i Kolonelit, Musa Ibrahim, foli për 300 civilë të vrarë. Sipas BBC, asnjë prej deklaratave nuk mund të verifikohet, por ngjarjet në të shkuarën sugjerojnë se të tilla pretendime nga ana e përkrahësve të Gedafit kanë rezultuar të pabaza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA