Iran, lirohen dy alpinistët amerikanë

21/09/2011 00:00

Dy shtetas amerikanë të dënuar me nga 8 vjet burg nga drejtësia iraniane
për spiunazh, janë liruar kundrejt një garancie financiare.

Shane Bauer dhe Josh Fattal dyshohet se kanë qenë në një autokolonë makinash iraniane, zvicerane dhe omane, të cilat kanë lënë burgun Evin.

Ata u arrestuan në vitin 2009, pasi kaluan kufirin nga Iraku në Iran, ku thanë se ndodheshin për alpinizëm, dhe u dënuan në shtator të këtij viti.

Trupi gjykues iranian vendosi si garanci shumën prej 400 mijë dollarësh. Avokati i Bauer dhe Fattal, Masoud Shafii tha para lirimit se lidhur me garancinë ka pasur një problem të vogël, që është zgjidhur me ndërhyrjen e Omanit, një vend aleat i SHBA në Gjirin Persik dhe që ka raporte të mira me Iranin.

Menjëherë pas lirimit të tyre, dy shtetasit amerikanë u larguan për në aeroportin Mehrabad, njofton agjencia e lajmeve “IRNA”.

Sipas saj, ambasadori zviceran në Teheran, që përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara në Iran, si dhe një delegacion nga Omani ishin të pranishëm kur alpinistët u liruan.

Nga aeroporti ndërkombëtar i Teheranit, amerikanët po udhëtojnë me avion për në një vend tjetër, që dyshohet të jetë pikërisht Omani.

Iran, arrestohen 6 producentë të BBC

Autoritetet iraniane kanë arrestuar një grup producentësh, duke i akuzuar se punojnë për degën persiane të BBC, që është e ndaluar në Republikën Islamike.

Televizioni shtetëror iranian raporton se grupi prej gjashtë vetësh ishte paguar për të prodhuar reportazhe sekrete për shërbimin në gjuhën farsi.

Arrestimet janë kryer një ditë pas një filmi dokumentar mbi figurën e liderit suprem iranian, Ajatollahu Ali Khamenei.

Gazetari i BBC, James Reynolds thotë se sinjali i kanalit, tek i cili rrallë herë mund të kesh akses në Iran, u ndërpre gjatë transmetimit.

Korporata tha se dokumentari mbi ajatollahun ishte një prodhim i brendshëm dhe se asnjë nga 6 producentët është përfshirë në të.

“Personat në fjalë janë producentë të pavarur filmash dokumentarë, që janë transmetuar në festivale dhe evenimente të tjera ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë.

“Duke qenë një praktikë e zakonshme e kanalit tonë, dega persiane e BBC bleu të drejtën e këtyre filmave”, saktësohet më tej në të.

Shefja e degës së BBC, Liliane Landor deklaroi se BBC nuk ka bërë asnjë shkelje me blerjen e të drejtave të transmetimit të filmave të pavarur.

Top Channel