Japoni, cyber-sulm sistemit të mbrojtjes

20/09/2011 00:00

Prodhuesi numër 1 i armëve në Japoni ka konfirmuar se ka qenë viktimë e
një sulmi kompjuterik që kishte si objektiv të dhënat mbi raketat,
nëndetëset dhe impiantet bërthamore të vendit.

Kompania Mitsubishi Heavy Industries deklaroi se gjeti viruse në më shumë se 80 servera dhe kompjutera të saj muajin e kaluar.

Qeveria japoneze tha se nuk ishte ne dijeni për ndonjë rrjedhje të informacioneve të rëndësishme. Por Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar MHI-së që të kryejë një hetim të plotë. Autoritetet në Tokio u acaruan pasi mësuan për lajmin nga mediat japoneze.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Mbrojtjes, Yasuo Ichikawa tha se agresorët informatikë nuk arritën të depërtonin në dosje me informacione të rëndësishme, por ai theksoi se MHI duhet të udhëzohet për të ndërmarrë një rishikim të sistemeve të saj të kontrollit.

“Ministria do të vazhdojë të monitorojë problemin dhe të kryejë hetime nëse do të jetë e nevojshme”, deklaroi Ichikawa.

Të gjithë kontraktuesit e qeverisë janë të detyruar të informojnë ministrat për cdo rrjedhje të informacioneve të rëndësishme apo të klasifikuara.

“I takon Ministrisë së Mbrojtjes të vendosë nëse informacioni ishte apo jo i rëndësishëm, jo MHI-së”, deklaroi zëdhënësi i dikasterit zyrtar.

As qeveria japoneze dhe as kompania e armëve nuk kanë bërë akuza, por një gazetë lokale shkruan se gjatë sulmit informatik u verifikuan shkronja kineze. Nuk ka munguar reagimi i qeverisë së Kinës, që ka hedhur poshtë pretendime të tilla.

“Kina është vetë viktimë e hakersave. Sulmi ndaj nesh jo vetëm që është i pabazë, por edhe dëmton interesin e bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë e internetit”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Hong Lei.

Top Channel