“Shqipëria, vendosmëri drejt BE”/ Ministri i Jashtëm i Gjermanisë në Tiranë, takon ministren Spiropali dhe Altin Dumanin
Artan Mullaj – Si në çdo fillimi sezoni të ri, batutat e politikanëve u paraprijnë
betejave reale. Vjeshta ka trokitur me paralajmërime surprizash.
“Wikileaks” ka freskuar vëmendjen e qytetarëve indiferentë dhe qytetarëve kureshtarë, me supozimet e forta që hodhi në kokat e tyre: Disa politikanë të njohur, nuk paskan qenë aq engjëj sa thuhej. Disa të mpleksur me krimin, me drogën, me shakatë e rrezikshme të jetës, që vetëm bythëmëdhenjtë mund t’i bëjnë, të tjerë të pabesë, bastardë, hajdutë, viktima të shterpësisë, të tjerë, si gjithmonë, mediokër, injorantë, halabakë, judakë.. Mbas dy vitesh, pozita hyri në Parlament, me plane të reja, dhe bashkë me të edhe shpresa për integrim, si një nuse e kthyer me minifund në shtëpinë e ish-burrit, u shfaq përsëri. Për hir të së vërtetës, çmimi i domateve ka qenë i ulët, por amvisat kanë qenë edhe më të kursyera se stilistët e bikineve këtë verë, sepse paraja është bërë e vështirë, si dikur. Paraja sot gjendet vetëm në “bri të Buallit”. Prezervativët janë falur me shumicë, nga shoqatat e kujdesit për dashurinë, për të gjithë! Para nuk ka, por janë rritur shërbimet e të gjitha llojeve, përveç seksit në rrugë. Tregu i mishit në semaforë e kryqëzime, ashtu si numri i lypsarëve, ashtu si politika e ditës, është në lulëzim, çka, si një indikator mjerimi, na kujton një paralajmërim të frikshëm varfërie në vend. Bashkia e re ka filluar të pastrojë rrugët në Tiranë, me një pasion të pamposhtur, që ngjan me epshin e një të burgosuri, që s’ka parë grua me sy prej shumë kohësh. Në çdo qoshe, njerëz me ngjyrë e pa ngjyrë që fshijnë edhe rrugët e fshira. Ky pasion i beftë për pastrim territori, mund të shpjegohet vetëm me dëshirën e nxehtë për të pastruar së brendshmi ndërgjegjen e tij, kreu njomështak i bashkisë, për karrigen e vjedhur… Vjeshta e nostalgjive dhe e dashurive të dështuara, duket se do sjellë ndryshime të mëdha, si lumenjtë sjellin kërcunjtë e pyllit, kur rrebeshi fillon.. Detaje aktuale ka plot, për të gjithë.. Fytyrën e Kryeministrit e ka pushtuar një eklips i ri. Lëvizja ritmike e syve të tij nuk e ka atë dinamikën e dikurshme. Buzëqeshja e vrazhdë, rrëshqitja e së cilës nga dhëmbët e vegjël nëpër buzët e holla, si një ngjalëz në kavanoz, e bën të duket edhe tinëzare, ka një koronë të re rrudhash rreth e rrotull. Kryeministri po mplaket! Njeriu që nuk i di të gjitha, por parandien gjithçka, është fundosur në dilema të heshtura meditimesh të lodhura, që të kujtojnë pllakosjen e pleqërisë. Por një lloj alarmi instiktiv i shpërndarë në tiparet e tij, si njollë makthi, është e paqartë nëse vjen vetëm nga pleqëria apo ka edhe diçka tjetër, që nuk mund të shpjegohet. Aty ku duket reale, si për çdo sundimtar, mjegullohet sakaq.
Shpër-tiparimi dhe shpërfytyrimi i një pushtetari të lodhur është në logjikën e gjërave; Ashtu si luani i mplakur, ndërsa e lenë fuqitë, veçohet nga turma, pushtetari e kupton se çdo bast me kohën, është i humbur. Prandaj largohet pa ndier nga besimi, se sundimi i tij do të jetë i përjetshëm. Si një shkatërrim qelizor, kjo shfaqet në fytyrën e lodhur. Ai e di se ka njerëz të cilët mendojnë se skema e pushtetit, deri tani në kontroll të plotë, ka degjeneruar në humbje kohezioni. Po i “bie koburja” përdhe. Mund të sfidosh e sundosh njerëzit, por nuk mund të sfidosh vullnetin e perëndisë. Vullneti i perëndisë në këtë rast është pleqëria. Fuqi e madhe dhe arsye e madhe për të rënë në dëshpërim, sidomos kur je në pushtet, e sidomos kur je sundimtar.
Pllakosjen e pleqërisë, përballjen e fundit të njeriut me Zotin, pushtetarë të ndryshëm e përtypin në mënyra të ndryshme. Supozimet se pleqëria është e njëllojtë për të gjithë, nuk qëndron. Shikoni Berluskonin, mikun e lartë të Kryeministrit Sali. Në moshën 75-vjeçare, ka më shumë të dashura sesa ditë probabiliteti për të jetuar. I gjendur mes kurthit të miliardave të panevojshme për jetën e mbetur, mbarimi i ditëve e shtyn të bëjë të pamundurën. Në një përpëlitje ekstaze, frika e mosqenies e shtyn të kërkojë orgazma të paqena, kulme të paqena, joshje ekzotike që nuk i ka provuar askush as në rini, kur seksi është kënaqësi e vërtetë, dhe jo një stërmundim i përtharë hormonesh të venitura.
Kryeministri shqiptar i fëmijërisë bjeshkore me dhi e me kuaj, përballjen me orën e ndëshkimit e ka të paqartë. Nuk e joshin gratë dhe as e tundojnë orgazmat mashtruese të vetvetes, që përjeton Berluskoni. Nuk i shpëton askurrë ndonjë shkallëzim ndjeshmërie të tillë. As atij, as besnikëve këlyshorë në nyjat e qeverisë. Përkundrazi. Ndërsa disa gra italiane bëjnë cmendurira qejfi e orgjira në “haremin” e mikut të tij sundimtar matanë bregut, në vendin e tij gratë fyhen publikisht dhe publikisht poshtërohen, dhunohen, kërcënohen, nga njerëzit e tij.
Një vajzë në qytetin e Kamzës, është dhunuar për ditën me diell. Sarkazma e ndriçoi këtë lajm si kometë: Të dhunohet një femër, nuk është më lajm në një vend ku ligjin e bëjnë ende bajraktarët e halabakët. Foli gazetari Preç Zogaj, të tjerët heshtën, a thua, nuk u poshtërua një femër, një motër, një zonjushë, por u përzu një kafshë barngrënëse që hyri pa lejë të kullosë në sheshin para bashkisë. Heshtën të gjithë. Heshtën gratë e tjera, ato që kanë vithet mbështjellë me fustan mëndafshi dhe të ndenjurat në kolltukë meshini origjinal, të firmës “waka laka”, heshtën edhe të tjerat e tjera, që hanë dru edhe ato nganjëherë në shtëpitë e tyre, por të paktën nga burrat e tyre. Heshtën partitë, që së fundmi krijojnë optikën e zisë në retina, organizatat hajdute të të drejtave të njeriut dhe shoqatat që kanë më shumë zyra se anëtarë. Heshtën institucionet ndërkombëtare, sidomos ata më hipokritët. Heshtën deputetët. Heshtën burrat. Me gjithë imunitetin e lartë që shqiptarët kanë fituar gjatë ngjarjeve rrëqethëse të tranzicionit, që nuk rreshtin në Shqipëri, heshtja që shoqëroi dhunimin e shamikuqes në Kamzë, të paktën doli ajo përmbi shëmtinë e vet ngjarjes. Sepse heshtja, jo dhunimi i “shamikuqes”, ishte ngjarja e kobshme.
Të gjithë e dimë: Morali i një shoqërie, përcaktohet së pari nga ndjeshmëria e saj ndaj ngjarjeve të dhimbshme.. Por njerëzit heshtën…. Ç’moral i paqenë përzier me shurdhërinë!
Të dhunohet një grua, në Shqipëri, mbase është një ngjarje rutinë, inercia e së cilës ka kapital kohor. Këtë e di mirë edhe Kryeministri ynë. Gratë janë dhunuar me kohë në këtë vend, në familje shqiptare ku civilizimi është thuajse i paqenë si “UFO”-t në qiell. Kjo do të thotë, se ky është një vend ku gratë dhunohen sistematikisht sipas një logjike të verbër që justifikon shkulmin gjenetik mashkullor të shqiptarëve, dhe qasjen e tyre primitive. Por të dhunohet një femër nga një pushtetar, është tjetër gjë. Të dhunohet një grua nga një përfaqësues, nga një mik politik i Kryeministrit, i cili votohet edhe për shkak se Kryeministri votohet dhe ky është besnik i tij mes të tjerëve, është tjetër gjë. Është rehatprishëse edhe për më pesimistët, është e shëmtuar edhe për më indiferentët, sepse nuk ka kanun ta mbulojë.
Një vajzë që guxoi të denoncojë “ngacmimet seksuale” të Kryetarit të Bashkisë, që u bë sakaq “kryetari i anarkisë”, u rrah për ditën me diell dhe duket sikur është krijuar një lehtësi barbare e tolerimit të gjithçkaje ndodh në këtë vend.
* * *
Dy zonja, nëpunëse të Bashkisë së Tiranës, të pushuara nga puna për shkak të bindjeve politike, u dhunuan edhe ato nga një pushtetar madhor i bashkisë. U dhunuan nga drejtori i policisë bashkiake. Një mik tjetër pushtetar, i Kryeministrit, shkeli edhe ky kodin e burrërisë, duke dhunuar njëherësh zonjat nëpunëse dhe drejtësinë që ato kërkuan.
Të gjendura përballë heshtjes kamikaze të shqiptarëve, edhe dy “Shamikuqet” e Bashkisë së Tiranës, e vazhduan thuajse të vetme betejën për dinjitetin femëror. Burrat e tjerë përsëri heshtën. Heshti edhe kryebashkiaku. I brishtë e fëminor para kamerave dhe mjegullave të parfumit, me gojën e lëngëzuar, si Sulltani që “s’i ngrihet” dhe bën sehir kurvat e haremit, edhe ky bën sehir kurvëritë e institucionit që drejton, pa bërë asgjë, ndërsa vartësit e tij lëshojnë grushte mbi gratë. Një burracak që dhunon dy zonja, i shan edhe i kërcënon me jetë, është edhe një mik pushteti i kryebashkiakut të Tiranës, që qesh, që gënjen dhe pastron plehrat e qytetit për të pastruar plehrat e ndërgjegjes së vet. Dhe ky kryebashkiak, i tëri në diell dhe i tëri i lari në flori, hesht njëlloj si të gjithë burracakët e tjerë në këtë vend. Por ndryshe nga “shkatërrimi i personalitetit” që regëtin në fytyrën e eprorit të madh Kryeministër, fytyra e tij ka një dritë të re naiviteti, që nuk ndryshon dhe që shkëlqen prej yndyrës dhe hipokrizisë. Për të është ende larg beteja me pleqërinë. Eklipset e shpirtit mbase do të vijnë, por në një tjetër epokë.
* * *
Njëri diell e tjetri shi, të dy bëjnë sehir se si shpërdorohet autoriteti i mbetur i shtetit prej besnikëve të tyre. Të dy shohin se si kërcasin levat e makinerisë së pushtetit që kanë në duar. Vidhat janë liruar, por ky është një problem i shefit të madh, që edhe nuhatjen e ka më të madhe. A do të mbyllen kollaj plagët e hapura rishtas nga idiotët vërdallë, që më shumë se mendjen, venë grushtet në punë? Apo gjaku do rrjedh pa pushim, në heshtje, në mallkim. Shqiptarët i falën shkatërrimin, mijëra të vrarë në ‘97-n, Gërdecin, 21 Janarin, …do t’ia falin edhe dy shpulla fytyrës grave të tyre. Apo këtë herë jo! Heshtja nganjëherë nuk është shpresë për harresë, por premtim për shpagim. Ç’bluan në kokë kjo gjallesë e ardhur në tokë për të sunduar shqiptarët, të gjithë e gjithçka? Kryeministri nuk është i paaftë të parashikojë më si dikur, kur nuhaste edhe rreziqet më të mëdha, sepse po mplaket shpejt, si Gadafi: heshtja e frikës, apo qetësia e vrarë, apo të dyja bashkë, janë një sinjal ogurzi para shtrëngatës. Është hera e parë që Kryeministri nuk kujdeset të fshehë perëndimin dhe pendimin e trishtë. Pendimin që u dha të tijve një liri kaq të rrezikshme, sa të fusin duart në dinjitetin e brishtë të disa zonjave shqiptare. Pezmi i tij lexohet qartë, si papiruset egjiptiane dëshmojnë qartë shkëlqimet dhe rëniet e Faraonëve.. Kthesa është e lexueshme. Berisha nuk është më ai tigri i pamposhtur i savanës shqiptare. Po mplaket, po mënjanohet, po e lënë fuqitë. Cakenjtë po e uzurpojnë fuqinë e tij, kuturu.
“Këta shqiptarët, mund të rezultojnë specie pak të çuditshme, mendon kryeministri. Mos ndjell diçka të kobshme kjo heshtje njerëzish, ndërkohë që ne vëmë dorë mbi gratë e tyre, e ata nuk ndihen?” Aforizmat lundrojnë në kokën e tij, si motorët e ujit në gjirin e Lalzit, për t’i ardhur në ndihmë. “Hakmarrja është një pjatë që serviret e ftohtë!” Mos po troket ora e hakmarrjes pa ndier? Femra nuk preket, femra e tjetrit nuk preket,! Ai e di se femra e tjetrit nuk preket, aq më shumë kur je në pushtet, aq më shumë kur je në Shqipëri. Në Shqipëri, “të gjitha dardhat, bishtin mbrapa e kanë!” Mos po afron stuhia, rreziku, apo është dëshpërim i nxituar ky, thjesht një shenjë më shumë pleqërie. Mbase Luli ka të drejtë, kur me dorën në allci qesh edhe thotë, këta janë lepuj, bëju ç’të duash, shaji me robtë e shtëpisë, futi kopaçe, bëji bugaçe, kokën nuk ngrenë…
Top Channel