AI: BE, dështim me refugjatët libianë

20/09/2011 00:00

Vendet e Bashkimit Evropian “kanë dështuar në mënyrë të turpshme” me
strehimin e mijëra refugjatëve libianë që kaluan kufijtë e vendit.

Kështu thotë ‘Amnesty International’, sipas të cilës vendet evropiane kanë dështuar në sistemimin e rreth 5 mijë afrikanëve nga zona nën-sahariane, që përballeshin me persekutime në vendet e tyre.

“BE, disa shtete anëtare të të cilit kanë marrë pjesë në operacionet e NATO-s në Libi, duhet të zgjidhin urgjentisht cështjen e sistemimit”, ka deklaruar AI.

Britania ka hedhur poshtë kritikat, ndërsa vende të tjera të Bashkimit Evropian nuk kanë bërë komente. Luftimet në Libi vazhdojnë, me forcat besnike të udhëheqësve të rinj që kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit.

Trupat kanë avancuar drejt qytetit bregdetar të Sirtes, që është dhe vendlindja e kolonelit Muammar Gaddafi, si dhe një nga bastionet e tij.

Në raportin me titull “Evropë, tani është radha jote të veprosh”, Amnesty kritikon ashpër qeveritë perëndimore për dështim me cështjet e strehimit.

“Kemi qenë dëshmitarë të një përgjigjeje skandaloze ndaj problemeve të të zhvendosurve që kanë qëndruar para dyerve të Evropës”, ka deklaruar Nicolas Beger, drejtor i zyrës evropiane të AI.

AI: Krime lufte në Libi

Amnesty International ka akuzuar të dyja palët në Libi për krime lufte.Në raportin e fundit, organizata thotë se shtypja e protestuesve nga ana e Muammar Gaddafi-t ka dëshmuar krim kundër njerëzimit, ndërsa arrestimet arbitrare, tortura e të burgosurve dhe rrëmbimet janë krime lufte.

Raporti thotë se zyrtarë të AI-së kanë parë trupa të vrarë të figurave opozitare, të cilat ishin qëlluar në kokë me duar të lidhura pas shpine.

Organizata thotë se ka video, që tregojnë të burgosurit teksa qëllohen për vdekje.

Raporti vë në dukje se edhe forcat kundër regjimit janë fajtore për abuzime të të drejtave të njeriut, porse në një shkallë më të vogël.

Ato kanë rrëmbyer, kanë arrestuar në mënyrë arbitrare, kanë torturuar dhe vrarë besnikët e Gadafit dhe shtetasit e huaj, të dyshuar gabimisht për mercenarë, thuhet në raport.

Amnesty International i bën thirrje Këshillit Kombëtar të Tranzicionit të hetojë abuzimet e të dyja palëve dhe t’i vërë të drejtat e njeriut në krye të agjendës së tij.

Cmimi i lirisë, 50 mijë të vrarë

Çmimi i paguar për rrëzimin e diktatorit Gadafi është i lartë. 50.000 vetë besohet të jenë vrarë gjatë rebelimit kundër regjimit të pushtetmbajtësit libian.

Me këmbëngulje vazhdon të përhapet fjala se vetë Gaddafi ndodhet në qytetin e tij të lindjes. Lajme të tjera flasin për qytetin Beni Ualid, në jug-lindje të Tripolit, ku koloneli gezon një mbështetje të gjerë.

Zëdhënësi i kryengritësve, Al Amen Bolhaj e paraqet jo shumë të rëndësishëm një arrestim të mundshëm të Gadafit.

“Të gjithë libianët shpresojnë që ta arrestojnë sa më shpejt që të jetë e mundur Gadafin. Por ky nuk është synimi ynë i parë, ne nuk jemi të fiksuar në kapjen e tij. Ne duam të ndërtojmë një Libi të re”, është shprehur ai.

Top Channel