Vlerësimet e sapo publikuar të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që kanë ulur sërish rritjen ekonomike për Shqipërinë lidhet me kontekstin ekonomik botëror.
Sipas FMN-së, rigjallërimi i ekonomisë globale po ngadalësohet, ndërkohë që rreziqet janë rritur.
Në shkallë botërore prodhimi, sipas FMN-së, do të rritet këtë vit me vetëm 4 përqind dhe po kaq edhe në 2012, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë pritshmëritë ishin që rritja përgjatë këtyre dy viteve të ishte 5 përqind.
Fondi thotë se ekonomia botërore ka hyrë tani në një fazë të re të rrezikshme, ku ritmet janë ngadalësuar dhe besimi i investitorëve dhe agjentëve të tjerë ekonomikë ka shënuar rënie drastike.
Edhe këto vlerësime thuhet në raportin e FMN mbajnë parasysh supozimet se politikbërësit e Bashkimit Europian do të përmbajnë rreziqet e krizës së eurozonës në ekonomitë periferike si dhe Shtetet e Bashkuara do të arrijnë të gjejnë një ekuilibër mes reduktimit të borxhit dhe stimulit për ekonominë në periudhë afatmesme.
Pasi siç thotë FMN, nëse SHBA dhe Europë nuk do të arrijnë të gjejnë zgjidhje për këto probleme rritja e ekonomisë botërore do të jetë shumë më e vogël.
Top Channel