Adri Nurellari – Me kalimin e ditëve po afrohet nisja e procesit të
regjistrimit të popullsisë, sikurse edhe po ashpërsohet debati për
përfshirjen për herë të parë në Shqipëri të dimensionit etnik dhe fetar
në të.
Mirëpo censusi nuk ka vetëm rreziqe reale dhe radikale, që lidhen me implikimet politike që mund të dalin prej rezultateve të pasakta, por ka edhe një potencial të lartë pasaktësie apo manipulimi. Si mund të pritet që të zhvillohet një proces i saktë regjistrimi etnik në një vend ku ende nuk organizohen dot zgjedhjet të lira e të ndershme e ku komisionerët e dy partive kryesore ende grabisin pa hesap votat e partive të treta, edhe tani që kanë shkuar 20 vjet prej rrëzimit të bustit të diktatorit?! Nga njëra anë ekziston një presion i fortë, i qartë dhe historik prej fqinjëve tanë grekë, që të ndryshohet përqindja zyrtare e minoritetit grek në Shqipëri dhe për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit tonë. Mjafton të kujtohen amnistitë e përkohshme për kalimin në kufi të emigrantëve tanë në periudha zgjedhjesh dhe autobusët e organizuar që nisen nga Greqia enkas për të votuar pro PBDNJ, për të marrë me mend se deri ku mund të shkojë shteti fqinj për të realizuar qëllimet ogurzeza shoviniste. Nga ana tjetër kemi shtetin tonë, ku mundësia për pasaktësi është e papërllogaritshme. Mjafton të shikohet se sa dendur institucione të ndryshme shtetërore paraqesin shifra të ndryshme për të njëjtën çështje, për të kuptuar se sa lehtë mund të manipulohen rezultatet e censusit te ne.
Është e vërtetë që amendimet e nisura nga PDIU me të vërtetë shtojnë ngarkesën ligjore dhe përmbajnë penalitete ndaj atyre që bëjnë vetëdeklarim të rremë. Mirëpo natyrshëm lind pyetja sa do të jetë e mundur që të zbatohet ligji e të merren masat e parashikuara nga amendimet në kushtet kur në vendin tonë mbizotëron paligjshmëria? Sa është e mundur që të zbatohen penalitete, ta zëmë ndaj mijëra pleqve korçarë apo të Bregut që marrin pensione 300 euroshe apo ndaj dhjetëra mijëra emigrantësh, që kanë karta homogjeni, kur dihet që në këtë vend nuk i hyn gjemb në këmbë as shkaktarëve të krimeve jashtëzakonisht të rënda si Gërdeci dhe 21 Janari?
Rasti i censusit të Kosovës sivjet dëshmon qartazi se si mund të dështojë një regjistrim popullsie, pasi shumë qytetarë nuk u bënë pjesë e rezultatit, jo vetëm sepse një pjesë e mirë e tyre ishin në emigracion e nuk arritën të regjistroheshin, por edhe sepse shumë banorë permanentë të Kosovës kishin frikë se mos regjistrimi i tyre personal dhe i pronës do t’i bënte subjekte taksash dhe i bënë bisht procesit. Censusi i zhvilluar në prill e nxori komunën e Prishtinës (572 km² që përfshin edhe fshatrat përreth qytetit) me një popullsi prej 198 214 banorësh, në një kohë kur duket qartë me sy të lirë që Prishtina është zmadhuar aq shumë, sa s’mund të ketë kaq numër të vogël banorësh. Sipas këtij censusi, Kosova del me më pak se 1.8 milionë banorë, ndërkohë që po të kiheshin parasysh matjet e mëhershme dhe projeksioni i rritjes natyrore të popullsisë, Kosova sot do të duhej të kishte goxha mbi 2 milionë banorë. Censusi nuk u mbajt në veri të Kosovës, por në atë zonë vështirë se banojnë më shumë se 45 mijë banorë. Ajo që e bën më absurde rezultatin e censusit është fakti që popullsia del 1.8 milionë, ndërkohë që numri i votuesve të regjistruar në zgjedhjet e kaluara ishte 1.6 milionë. Mirëpo Kosova ka edhe popullsinë më të re në Europë, me një moshë mesatare rreth 26 vjeç, që lë të hamendësohet se përqindja e atyre nën moshën 18 të votimit duhet të jetë diku tek 30% e popullsisë e për rrjedhojë, popullsia do të duhej të ishte rreth 30% më e lartë se 1.6 milionë votues, pra goxha mbi 2 milionë.
Edhe rasti i regjistrimit etnik brenda Malit të Zi të zhvilluar gjatë prillit është i mbushur me parregullsi në kurriz të shqiptarëve që shërben si një tjetër demonstrim se sa lehtësisht i manipulueshëm është procesi. Kështu, një ndër paradokset e censusit malazez është fakti që numri i banorëve që vetëdeklarohen shqiptarë është 30439 ose 4.91% e totalit, ndërkohë që ata që deklarojnë shqipen si gjuhën amtare janë 32671 banorë ose 5.27%. Pra i bie që 2232 shtetas të Malit të Zi kanë gjuhë amtare shqipen, por nuk qënkërkan shqiptarë. Një tjetër manipulim i bërë në censusin malazez, që lidhet me përpjekjet shkombëtarizuese ndaj shqiptarëve, është edhe shpikja e një grupi etnik të ri, të quajtur mysliman, së cilës i përkasin sipas censusit 20537 banorë, 3.31% e popullsisë. Po ashtu në pyetjet për fe, zëri mysliman është futur si kategori më vete në pyetjen përbri konfesionit islam. Pra censusi nxjerr se 99038 banorë janë të fesë islame dhe 19439 janë myslimanë. Kuptohet që kjo kategori është sajuar enkas për të lehtësuar asimilimin dhe shkombëtarizimin e shqiptarëve dhe në këtë kategori, janë shtyrë të futen jo vetëm 2232 shqipfolësit e mësipërm, por edhe mijëra shqiptarë të tjerë të trojeve historike shqiptare të Plavës, Gucisë, Rozhajës e Tuzit, të cilët kanë pasur frikë të deklarojnë kombësinë shqiptare dhe se gjuhën amtare kanë shqipen, duke bërë që të përfshihen te ky identitet i ri hibrid i padëgjuar gjetiu “mysliman”, që sipas malazezëve pretendohet të jetë ndryshe nga të qenurit islam.
Censusi i Maqedonisë, në vitin 2002, ka pas qenë shumë problematik sepse e nxori popullsinë maqedonase në rreth 64.2% dhe atë shqiptare në 25.2%, ndërkohë që të gjithë përfaqësuesit e faktorit shqiptar pretendojnë se shqiptarët janë të paktën një e treta e popullsisë së vendit. Manipulimet me shifrat e popullsisë kanë bërë që shqiptarët të mos gëzojnë të drejtat e plota të tyre në qytetet historike shqiptare, ku sot rezultojnë se janë më pak se 20%, si dhe përcaktimi i kufijve të distrikteve elektoralë dhe mandateve përkatëse që bëhet i mbështetur te rezultatet e censusit ka sjellë një situatë ku shqiptarët marrin 5 deri në 7 më pak deputetë sesa u takojnë.
Parregullsitë me procesin e regjistrimit etnik të këtij viti janë vënë re edhe në një vend ballkanik anëtar të BE-së, sikurse është Bullgaria. Në fakt shteti maqedonas dhe shoqatat e ndryshme të diasporës maqedonase janë shumë të indinjuara për censusin e fundit bullgar, sipas të cilit vetëm 1654 qytetarë bullgarë deklaroheshin maqedonas. Kjo shifër është sa një e treta e shifrës të nxjerrë një dekadë më parë dhe 100 herë më e vogël sesa censusi i vitit 1958, kur 187,789 bullgarë u deklaruan me origjinë maqedonase. Afërmendsh nuk ka sesi kjo popullsi të zvogëlohet, në mënyrë të natyrshme kaq shpejt. Duhet theksuar se këtu bëhet fjalë për pasaktësi apo dyshime manipulimesh në një vend anëtar të BE-së, që ka të paktën një dekadë që zhvillon zgjedhje politike të ndershme pa vëzhgues të huaj.
Rastet e shteteve fqinje dëshmojnë qartë se sa shumë pasaktësi mund të ketë censusi i ardhshëm në Shqipëri. Shteti ynë në vend që të shqetësohet për manipulimet që bëhen në kurriz të shqiptarëve në censuset e Maqedonisë dhe Malit të Zi, është duke i hyrë vetë një qorrsokaku në një moment krejt të papërshtatshëm. Një census dinjitoz me vetëdeklarim mund të zhvillohet vetëm pas 10 vitesh, kur shteti ynë të jetë mëkëmbur dhe qytetarët tanë të kenë rifituar dinjitetin kombëtar e të mos vuajnë më nga babëzia e fukarallëkut dhe etja për dokumente udhëtimi dhe emigrimi. Këtu duhet shtuar që situata në Shqipëri është më e rëndë se në vendet fqinje, për shkak të kontekstit sui generis që popullsia jonë ka me grekët. Numri i lartë i emigrantëve, politika afatgjatë e asimilimit dhe shkombëtarizimit që ka ndjekur Greqia nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm (përfshi këtu Kishën Ortodokse kinse-Autoqefale) si dhe bindja me pensione të majme duke përfituar nga varfëria jonë, kanë për të bërë që rezultati i censusit të ardhshëm të jetë shumë lehtë i manipulueshëm dhe shumë larg së vërtetës.
Top Channel