Rrjeti terrorist i Hakanit ka deklaruar se ka ndërmend të marrë pjesë në bisedimet e paqes me qeverinë e Kabulit dhe Shtetet e Bashkuara.
Deklarata është bërë nga vetë lideri i rrjetit, Sirajuddin Haqqani, i cili megjithatë ka nënvizuar se pjesëmarrja do të realizohet vetëm në praninë e talebanëve.
Hakani është një grup rebelësh të dhunshëm afganë që vepron nga Pakistani kundër forcave afgane dhe atyre të NATO-s, në Afganistan.
Duke qenë se autoritetet afgane dhe forcat e koalicionit ndërkombëtar nuk po vënë dot nën kontroll dhunën e rebelëve, qeveria e Kabulit dhe ajo e Uashingtonit shohin si zgjidhje bisedimet me guerrilasit.
Afganistan, 25 të vrarë
Të paktën 25 persona u vranë në Kabul gjatë sulmit që zgjati 20 orë, mes forcave të sigurisë afgane dhe militantëve që kishin vënë në shënjestër, Ambasadën Amerikane, selinë e NATO-s dhe ndërtesat e policisë.
Ambasadori amerikan në Afganistan, Rajan Krokër, e etiketoi sulmin thjesht një shqetësim. Komandanti i NATO-s në Kabul Gjenerali Xhon Alen pranoi se militantët kishin shënuar vetëm një fitore, atë të propagandës.
Mes të vrareve janë 11 civilë, edhe fëmijë, 4 policë dhe 10 militantë. Trupat ndërkombetare kanë nisur t’i dorëzojnë stafetën e sigurisë autoriteteve afgane, tranzicion që pritet të përfundojë në vitin 2014.
Afganistan, gjenden të vrarë 2 gjermanët
Dy shtetas gjermanë që u zhdukën në Afganistan muajin e kaluar janë gjetur të vdekur, kanë njoftuar autoritetet e provincës së Paruanit.
Dy personat u zhdukën në afërsi të Salang Pasit, në veri të Kabulit dhe janë gjetur të vrarë me armë zjarri, ndonëse nuk dihet se kush i ka qëlluar.
Provinca e Salang Pasit është relativisht e qetë, por dyshohet se dy gjermanët, që deklaronin se punonin për një organizatë humanitare, kanë kaluar në një luginë që nuk është edhe aq e sigurtë.
Tortura në burgjet afgane
Misioni i NATO-s në Afganistan pezulloi përkohësisht transferimin e të burgosurve nga qelitë e Aleancës në burgjet vendase, pas akuzave të forta që janë ngritur kundër autoriteteve afgane për tortura dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.
BBC thotë se dyshimet për ushtrimin e dhunës dhe torturave në burgjet afgane janë pasqyruar në një raport të OKB-së që pritet të publikohet së shpejti. Sipas këtij raporti, të burgosurit rrihen dhe në disa raste ndaj tyre përdoret edhe goditja elektrike.
Burgjet në Afganistan kanë kaluar nën përgjegjësinë e policisë dhe shërbimeve të inteligjencës vendase.
Top Channel