Alma Lama – Shoqëria në Kosovë po rrezikon të futet në një nivel të rrezikshëm të
pakuptueshmërisë. Debati që po zhvillohet këto ditë, për prodhimin e të
cilit është punuar prej disa vitesh mbi “liritë” fetare tenton të
prodhojë një atmosferë të pakuptueshmërisë ndërmjet grupeve të caktuara
shoqërore apo të interesave, komuniteteve fetare dhe jofetare,
grupmoshave të ndryshme e po kështu të raporteve mes individit dhe
shtetit.

Në një kontekst më të gjerë dhe të thjeshtuar, do të mund të sillnim pakuptueshmërinë që ekziston mes perëndimit dhe islamizmit, si dy dogma të cilat në ditët e sotme janë në nivelin më të keq të marrëdhënieve, mbase që prej kohës së kryqëzatave. Duam apo s’duam ta pranojmë, tashmë është bërë e zakonshme të dalim në përfundimin se bota islamike dhe Perëndimi janë zhytur në një cikël të intensifikuar të konfliktit politik dhe kulturor dhe burimi kryesor i këtij rivaliteti është natyra e raporteve të Amerikës me Lindjen e Mesme, më saktë konflikti izraelito-palestinez dhe politikat e ringjalles së islamizmit në botën arabe.

Këto lloj interpretimesh dhe perceptimesh kanë prodhuar frikë te popullatat që po shpërfaqen në nivele të ndryshme, që nga rritja e nivelit të sigurisë për shkak të sulmeve terroriste në vendet e Perëndimit, e deri te përjetimi i një armiqësie të thellë në disa vende të botës arabe, i cili shkon deri në aktet terroriste, të cilat në radhë të parë po marrin jetën e mijëra qytetarëve myslimanë. Ky nivel i acarimit të raporteve dhe hakmarrjes shkon madje edhe përtej parashikimeve të vetë Samuel Huntingtonit, autorit të famshëm, por njëherësh edhe shumë të kritikuar për teorinë e tij apo mitin mbi përplasjen e qytetërimeve.

E pra natyra e të shikuarit dhe perceptuarit bardhë e zi, nga popullatat përkatëse, e një sistemi tepër kompleks marrëdhëniesh mes këtyre dy qytetërimeve, mund të thuhet se është në një nivel të lartë pakuptueshmërie reciproke…

Po pse rrezikon që të na instalohet në Kosovë një pakuptueshmëri e tillë dhe cila do të ishte përmbajtja e saj?

Për të kuptuar këtë duhet që në radhë të parë të japim një kuptim të saktë të termit kuptueshmëri. Kuptueshmëria është një marrëdhënie mes njohjes dhe objektit të të kuptuarit. Kuptueshmëria me pak fjalë përmban mundësi dhe dispozita ndaj një objekti të njohjes së mjaftueshme për të mbështetur një sjellje inteligjente. Ndërsa pakuptueshmëria është e kundërta.

Pakuptueshmëria është proces i papërfunduar i njohjes së objektit fizik apo abstrakt, konceptit apo mesazhit të tjetrit, i cili për pasojë është i pamjaftueshëm për një përgjigje inteligjente ndaj këtij objekti. Ky proces i papërfunduar i njohjes prodhon frikën nga e panjohura, e cila është një nga frikërat më të mëdha të njeriut e me të cilën ka manipuluar në radhë të parë feja. Në të vërtetë, dogmat fetare, pa përjashtim i kanë rrënjët te koncepti i së panjohurës dhe frika që ajo prodhon te njeriu. Vetë koncepti për Zotin dhe ekzistencën e tij, është tentativa për t’i dhënë përgjigje të panjohurës.

Duke mos pretenduar për ndonjë përkufizim filozofik, në rastin e temës sonë pakuptueshmëria është një gjendje psiko-sociale që bart paragjykime dhe keqkuptime, të cilat mund të shndërrohen në një rrezik të madh në rast se kurba e njohjes së tjetrit nuk fillon të lëvizë në drejtim të kundërt me atë të së panjohurës.

Në rast se flasim me gjuhën e ngjarjeve aktuale në Kosovë, debatet për lirinë fetare, janë mure që ngrihen në mënyrë artificiale ose të qëllimshme, në mënyrë që të prodhohet një konflikt që ka si synim arritjen e disa interesave të caktuara, qofshin ato politike, qofshin ekonomike.

Polarizimi i skajshëm i debatit nuk është gjë tjetër vetëm rritje e nivelit të pakuptueshmërisë mes dy palëve. Ndjeshmëria e madhe, kundërshtitë, reagimet hiperaktive dhe deri agresive, një nivel i organizimit deri në mobilizim sa herë flitet për fetë tentojnë të zëvendësojnë parametrat e një debati normal ku palët kanë një nivel më të madh të pranimit të argumenteve të tjetrit.

Në të vërtetë, debati që po zhvillohet është përjashtues dhe arsyet janë të qarta për këtë: bëhet fjalë për importimin e një kulture besimi, ritesh, zakonesh dhe veshjesh krejtësisht të tjera nga ato që për shekuj me radhë kanë qenë të pranishme në Kosovë.

Pra, në radhë të parë, pakuptueshmëria duhet të trajtohet nën dritën e kontekstit historiko-shoqëror, duke u dhënë përgjigje të tilla pyetjeve se çfarë janë myslimanët e Kosovës, cili është niveli i tyre i besimit, çfarë roli ka luajtur ai nëpër shekuj, cilat kanë qenë raportet e tij me fetë e tjera në Kosovë?

Nëse u referohemi burimeve më të besueshme historike dhe të pranuara botërisht, konvertimi i shqiptarëve nga feja katolike në atë myslimane ka ndodhur në mënyrë masive në shekullin e 17 dhe 18, për arsye të ndryshme, si ato ekonomike, ushtarake etj. Në të vërtetë, shqiptarët janë populli i vetëm i madh në Ballkan, nën pushtimin e perandorisë osmane që u fut një proces të tillë konvertimi fetar, rudimentet e të cilit i gjejmë edhe në ditët e sotme në fenomenin e kriptokatolikëve (katolikë të fshehur) apo laramanëve siç njihen nga populli. Ky fenomen, në fakt është një dëshmi e gjallë se konvertimi nga katolikë në myslimanë ka qenë jo i vullnetshëm, por i imponuar nga pushtuesit dhe rrethanat që ata krijonin.

Islami që ka mbizotëruar në Kosovë e Shqipëri, kryesisht sekti sunit, ka qenë i një natyre më të butë; shqiptarët ia kanë përshtatur atë mjaft traditave dhe zakoneve të tyre dhe i tillë ka ardhur deri në ditët e sotme.

Duke mos dashur të futem në faktorë të tjerë historikë, të cilët padyshim që kanë rëndësi të madhe, si pushtimi serb në Kosovë, rreziku nga copëtimi, lindja e idesë së kombit dhe ngjallja e ideologjisë kombëtare nga Rilindësit, shqiptarët myslimanë personifikojnë atë që sot quhet islami europian. Bashkëjetesa me të dy besimet e tjera fetare, katolicizmin dhe ortodoksizmin nuk është ndonjë rastësi, por produkt i vetë kujtesës historike të shqiptarëve, e cila padyshim ka prodhuar një nivel të lartë të kuptueshmërisë mes komuniteteve fetare. Padyshim, pjesa më e madhe e myslimanëve të Kosovës janë besimtarë, (në një nivel të caktuar,) frekuentojnë objektet e kultit (kjo në masë gjithnjë e më të vogël) dhe kremtojnë festat fetare. Veshjet tradicionale, sidomos gratë në moshë nëpër fshatra janë të ngjashme me ato që mbajnë në Turqi nëpër zonat rurale, të cilat me ndërrimin e brezave po zhduken e zëvendësohen me veshje të stilit perëndimor.

Ky peizazh, i cili ka pësuar ndryshime të mëdha me rritjen e nivelit arsimor te shtresat e popullatës, tashmë duket se është “pasuruar” si në aparencë edhe në përmbajtje. Një komunitet jo dhe aq i madh, edhe pse nuk ka statistika, por në rritje të vazhdueshme, predikon një lloj tjetër islami, bart një tjetër lloj veshjeje dhe ka një mënyrë tjetër komunikimi. Të nxitur kryesisht nga shkaqet ekonomike, rryma të islamit radikal ia kanë dalë mbanë pas luftës të rekrutojnë më qindra të rinj, t’i indoktrinojnë dhe në këtë mënyrë të krijojnë një hendek mes tyre dhe islamit tradicional. Një hendek i cili nuk është tjetër veçse një refuzim i tjetrit që është ndryshe e që sot ka arritur në nivelin më të lartë, atë politik ku synohet të imponohen ligje që do të çonin në përmbysjen e të gjitha vlerave të ndërtuara nëpër shekuj.

Ky hendek pra po e sjell gjithnjë e më shumë shoqërinë në Kosovë në një moment përçarës që mund të përkufizohet me nocionin e thjeshtë “NE dhe ATA”, ku palët qëndrojnë në të dyja anët e llogores, ballë përballë me argument të papajtueshme.

Njëra palë, pra NE nuk i kupton ata që dalin në rrugë dhe protestojnë për shami, nuk e kupton mënyrën e tyre të veshjes, paraqitjes, lutjeve, kërkesat, mentalitetin, qëllimet, botën e tyre. E panjohura për ne është: kush janë, çfarë përfaqësojnë, kush qëndron pas tyre, çfarë planesh kanë për Kosovën dhe a e rrezikojnë identitetin tonë?

Pala tjetër pra ATA nuk kuptojnë konceptet tona, mënyrën e sjelljes, kulturën, reagimet, refuzimet, botën tonë. Natyrisht këtu nuk bëjnë pjesë ATA që financojnë e nxisin këtë konflikt ideologjik, por masat e thjeshta që përfshihen në mënyrë të pavetëdijshme në ndërmarrjen radikale.

Tëhuajsimi është i pandalshëm ndërsa refuzimi për të kuptuar njëri-tjetrin nuk është thjesht një refuzim estetik, që lidhet me dukjen, shfaqjen, manifestimin. Në të vërtetë është ideologjik dhe mu për këtë është i rrezikshëm.

Në përgjithësi, dogmat, sidomos ato fetare gjejnë një përkrahje të gjerë dhe militanteske sa është vështirë t’i sfidosh me argumente të arsyeshme. Por në Kosovë, debati ka degjenuar në një nivel edhe më të rrezikshëm. Dogma në përgjithësi vishet me petkun e lirisë, dhe kërkesat artikulohen me petkun e të drejtave të njeriut, apo të një qytetërimi të cilin vetë dogma nuk e pranon.

Kjo është një strategji e cila i është përshtatur terrenit, pra në një vend të orientuar drejt Evropës dhe Perëndimit, vështirë të pranohet diçka që është sinonim i diskriminimit dhe mungesës së lirisë.

“Ne dhe ata”, në këtë mënyrë vijnë në një nivel të së panjohurës ku pakuptueshmëria e instaluar tashmë zgjerohet në hapësira gjithnjë e më të mëdha. Frika rracionale nga tjetri dhe e panjohura dalëngadalë ia lë vendin një frike irracionale që mund të çojë deri në dhunë apo ekstremizëm. Nënvlerësimi i këtij rreziku siç po ndodh sot, si nga politika, ashtu edhe nga intelektualët dhe madje vetë shoqëria, në një të ardhme jo të largët mund të bartë pasoja të pariparueshme për vendin.

(Autorja është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA