Miniera e Bulqizës po “varroset“

14/09/2011 15:00

Ish-zëvendësministri i Energjetikës Pajtim Bello lëshon alarmin se
miniera e Bulqizës ka vetëm edhe dy deri në tre vite jetë për shkak të
shfrytëzimit barbar i është bërë.

“Me marrjen edhe të atyre rezervave qe u zhvaten, përmes punimeve të tjera jashtë projektit koncesionar, rrezikon te mbyllet miniera dhe te mos hapet me thellesia”, tha Bello.

Shqetësimin se minierës po i vinte fundit specialistët e kanë patur që pas viteve 90. Ndaj në vitin 2001, kur u nënshkrua kontrata koncesionare, kompanisë DARFO ju vendos kushti që të hapte një pus të ri, i cili thellonte minierën dhe rriste jetëgjatësinë e saj.

“Me hapjen e ketij pusi, quhej e hapur miniera e Bulqizes per rreth 5.5 milione tone krom qe llogariteshin, pra duhet te kishim sot edhe 30 vite jetegjatesi”, u shpreh Bello.

Por, Pajtim Bello thote se që nga viti 2001 miniera nuk u thellua asnjë metër për shkak se DARFO dhe më vonë ACR nuk kryen investimet. Por sërish të dy kompanitë kanë shfrytëzuar një pjesë të rezervave në thellësi, përmes metodave të jashtëligjshme. Përmes këtyre metodave ato kanë nxjerrë një pjesë të kromit nga thellësitë, por kanë bërë të paleverdisshme thellimin e minieres për të shfrytëzuar rezervat e tjera. 

“Sepse ne teresi projekti cenohet nga pikepamje e fizibilitetit financiar, nuk jane me 5.5 milione tone rezerva per t’u shfrytezuar, por do te ngelen dicka me pak, dikur te rreth 3 milione, pra fizibiliteti financiar cenohet ndjeshem”, tha Bello. 
Tani specialistët druhen se rezervat minerare të vendit mund të groposen përfundimisht.Bello thote se koha e arte e konjuktures se kromit, po mbaron.

Inxhinieri Kola: Miniera rrezikon të mbyllet

Inxhinieri Jorgo Kola, i cili ka kaluar mbi 30 vite të jetës së tij në këtë minierë, ai e mbështet grevën e ligjshme të minatorëve, por ai thekson se në themel të saj duhet të jetë kërkesa për hapjen e katër niveleve të
tjera në minierë nga kompania ACR. Inxhinier Kola thotë se kromi që ndodhet në nivelin 16 do të zgjasë punën e 700 minatorëve edhe një vit, ndërkaq ACR, duhet të kishte nisur punën për hapjen e nivelit të 17, 18, 19 dhe 20, kohë më parë.

“Është i vonuar duhej të
ishte hapur 2-3 vjet më parë. Në vitin 2012 apo 2013 nuk do ketë vend ku
do ngul kazmën për të marrë materiale. Nuk ka më”, është shprehur Kola.

Studimet e kryera vite më parë dëshmojnë se miniera e kromit në
Bulqizë ka edhe 20 nivele të tjera, por inxhinier Kola mendon se ajo në
të vërtetë ka edhe 40 nivele, çka do të thotë të paktën edhe 3 deri në 4
milionë tonë krom, i cili për nga cilësia është i parë në Europë.

“Firmat private mund ta vazhdojnë edhe 50 vjet të tjera dhe nga kjo
pikëpamje miniera është shumë e pasur. Është e hapur deri në -540 metra
deri në nivelin e detit dhe mund të shfrytëzohet deri në 40 nivele”,
theksoi Kola.

Në territorin e ACR, në nivelet e shfrytëzuara
më parë prej saj, janë vendosur dhjetra kompani private, minatorët e të
cilëve punojnë pa asnjë plan dhe kusht sigurie. Vite më parë në këto
nivele ka patur edhe aksidente me humbje jete dhe asyeja është sipas
specialistëve se ata punojnë në mënyrë të mbivendosur dhe në territore
të vështira.

Kromi nje histori abuzimesh

Historia minierës së Bulqizës përbën ndoshta një nga dështimet më të mëdha me koncesionet, ku mpleksen viktima të pafajshme, fitime marramendëse dhe afera të dyshimta korruptive, që shkojnë deri në nivelet më të larta të qeverisë.

Në vitin 2001, ish-qeveria e atëhershme socialiste, miratoi koncesionin e parë të minierës së Bulqizës, së bashku me disa objekte të tjera që përfshinën dhe fabrikën e pasurimit të kromit.

Koncesioni iu dha një kompanie italiane me emrin DARFO. Për më shumë se 5 vite italianët shfrytëzuan minierën, rezervat dhe stoqet e akumuluara në vite pa bërë asnjë investim. Nga fundi i vitit 2006, DARFO u largua dhe ia shiti koncesionin një grupi, ruso-austriak te quajtur ACR.

Shitja u mbikqyr nga ministri i atëhershëm i Ekonomisë Genc Ruli, i cili ishte dhe njeriu që negocioi marrëveshjen e re të koncesionit. Sipas marrëveshjes, që u votua në kuvend në vitin 2007, ACR detyrohej të investonte deri në fund të 2010 të investonte të paktën rreth 22 milionë euro, për të rinovuar teknologjinë dhe për të përmirësuar kushtet e sigurisë në punë.

Koncesioni i ri solli shpresën se më në fund problemet në minierë do të përfundonin dhe investitorët e rinj do të nisnin investimet për të përmirësuar kushtet e minatorëve dhe rendimentin e minierës. Por historia u përsërit. E nxitur nga cmimet rekord të kromit në vitet 2007-2008, kompania nisi shfrytëzimin masiv të rezervave të akumuluara nga vitet e komunizmit, ndërsa investimet zvarriteshin. Ndërkohë në minierë, minatorët humbisnin jetën njëri pas tjetrit, për shkak të mungesës së investimeve.

Pas tre vitesh shfrytëzim, ACR kishte shkelur të gjitha planet e investimeve që detyronte marrëveshja. Në këtë situatë në 7 korrik të vitit 2009, kompania i drejtohet Ministrisë së Energjetikës, ku i kërkon të ndryshojë marrëveshjen e koncesionit. Vetëm dy ditë më vonë ish-ministri Genc Ruli firmos ndryshimin e marrëveshjes duke shtyrë mbi 13 milionë euro investime për vitet 2009-2013, edhe pse sipas koncesionit investimet duhet të kishin përfunduar sakaq. 

Vetëm pak ditë para se të linte detyrën Genc Ruli, kishte ndryshuar një marrëveshje të votuar nga kuvendi në kundërshtim të hapur me ligjin.

Pas publikimit të skandalit në Top Channel, ish ministri Ruli reagoi duke dhënë versionin e tij se pse e ndryshoi marrëveshjen pa e kaluar në kuvend, duke thene si arsye pushimet verore te deputeteve.Pak ditë më vonë prokuroria njoftoi publikisht celjen e hetimeve. Dosja edhe sot vazhdon të endet në zyrat e saj, ndërsa abuzimet në minierë vazhdonin.

Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në krye të Ministrisë së Energjetikës vjen Dritan Prifti, i cili tentoi të anullonte koncesionin duke e quajtur marrëveshjen zyrtarisht të dështuar.

Por edhe kjo nismë u zhbë shpejt. Kërcënimet dhe akuzat për heqje koncesioni mbeten vetëm deklarata dhe nuk u mor asnjë hap ligjor për t’i dhënë fund abuzimeve dhe shfrytëzimit barbar të minierës.

Tani ekspertët thonë se miniera rrezikon të shembet, për shkak të shfrytëzimit pa kriter dhe investimeve të munguara. Ky do të ishte kulmi tragjik i një historie dështimi dhe korrupsioni qindra milionë dollarësh, që sheh të implikuar që nga bandat e kriminelëve ordinerë e deri tek zyrtarë më të lartë të këtij vendi, që kanë hedhur thonjtë dhe po abuzojnë me një nga pasuritë më të mëdha të këtij të Shqipërisë. Rezervat e kromit, për të cilat thuhet se vendi renditet i katëri në botë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA