Takimi i nivelit të lartë politik për vendosjen e mënyrës sesi do të funksionojnë doganat pas datës 15 shtator, ashtu sic u paralajmërua paraditen e së martës nga Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi u zhvillua në ndertesën e qeverisë pasditen e së martës. (UPDATE)
Por gazetarët mundën të depërtojnë vetëm deri te rrethojat e objektit institucional në të cilin për gati tri orë ishin mbledhur kryeministri i Kosovës dhe përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare.
Kamerat televizive filmuan disa nga përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare duke dalë nga objekti qeverisë. Pjesë e takimit ishin komandanti i KFOR-it Erhard Dreus, zëvendësshefi i EULEX-it Andy Sparks, ambasadori amerikan Kristofer Dell dhe përfaqësuesit e tjerë të vendeve të Kuintit.
Burime brenda qeverisë së Kosovës duke folur në kushte anonimiteti konfirmuan se marrëveshja për funksionalizimin e doganave është kryer. Në takim, sipas këtij burimi është diskutuar situata e sigurisë në Veriun e Kosovës dhe ngjarjet që mund të pasojnë, funksionalizimin e doganave.
Ky zyrtar i lartë qeveritar tha se po kështu janë shqyrtuar modalitetet, nëse stafi policor dhe ai i doganave duhet të dërgohet me helikopter apo me automjete.
Nga burime të tjera të afërta me takimin mësohet se doganierët kosovarë do të dërgohen vetëm në pikën kufitare 31 në Bërnjak, ndërkaq pika 1 do të marrë akoma kohë deri në riparimin e saj.
Para takimit, kryeministri i Kosovës Hashim Thaci ka folur për radion Europa e Lire.
“Plani është të rihapen pikat doganore 1 dhe31 me autoritetin suprem të institucioneve të Republikës së Kosovës” citohet të ketë thënë kryeministri Thaci, duke thënë se në veri do të dërgohen policët dhe doganierët kosovarë të cilët do të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe KFOR-in.
Kryeministri Thaci më tej ka thënë se të ardhurat nga pikat kufitare 1 dhe 31 dhe qarkullimi i mallrave nga Serbia në Kosovë do të derdhen drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës dhe do të shpërndahen si të gjitha mjetet në buxhetin e konsoliduar.
Marrëveshja për hapjen e kufirit me Serbinë në veri të Kosovës, vjen pas dakordimit në Bruksel mes Prishtinës e Beogradit që të mundësohet lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve.
Top Channel