Në një kabllogram të Wikileaks, të siguruar nga agjencia e lajmeve INA, pasqyrohet qëndrimi i kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski rreth njohjes së shtetit të Kosovës.
Kabllogrami mban datën e 23 shtatorit 2008, ku zbardhet një takim i kryeministrit Nikolla Gruevski dhe ministrit të Jashtëm, Antonio Milloshoski me zëvendësambasadorin amerikan Thomas Navratil.
“Kryeministri Gruevski dhe ministri i Jashtëm Milloshoski, më 21 shtator na informuan se kanë vendosur që të presin deri nga mesi i tetorit për ta njohur Kosovën, me shpresën se deri në atë kohë Mali i Zi dhe ndoshta Portugalia do të jenë gati për të bërë të njejtën gjë”, thuhet në mesazhin që sipas Wikileaks ambasada amerikane në Shkup i ka dërguar Uashingtonit.
Sipas kabllogramit, Milloshoski njoftoi gjatë takimit se kishte takuar homologun e tij portugez më 19 shtator dhe se nga ai kishte kuptuar që Portugalia po shqyrtonte seriozisht mundësinë e njohjes së Kosovës nga gjysma e parë e muajit tetor.
Ndërsa kryeministri Gruevski druhej se Beogradi do të reagonte shumë ashpër, sidomos nëse Kosovën do ta njihte vetëm Shkupi.
Gruevski njoftoi ambasadorin amerikan se, shefi i shtabit të ushtrisë serbe kishte vizituar së fundmi Shkupin dhe kishte paralajmëruar për pasoja të tmerrshme në rast të njohjes së pavarësisë, përfshirë mundësinë e tërheqjes së njohjes së Maqedonisë me emrin e saj kushtetues.
Gjithashtu, thuhet në kabllogram, Gruevski njoftoi se ishte konsultuar me homologun malazez Milo Gjukanovic, nga i cili kishte marrë mesazhin se Parlamenti malazez do ta diskutonte cështjen e Kosovës më 5 tetor.
Megjithatë, Gruevski theksoi se, nuk kishte asnjë dyshim që Maqedonia do ta njihte Kosovën, edhe në rast se këtë nuk do ta bënte Mali i Zi, duke pranuar rëndësinë që ky hap do të kishte për Shtetet e Bashkuara dhe rajonin.
Top Channel