Ministri i Punës dhe Politikave Sociale në Serbi, Rasim Ljajic deklaron
se Serbia “nuk ka asnjë hapësirë manovruese për reagim, nëse pushteti në
Prishtinë më 16 shtator dërgon policët dhe doganierët në Bërnjak dhe
Jarinje”.
“Vetem me mjete diplomatike mund t’u themi zyrtarëve ndërkombëtarë për rrezikun e këtij akti. Duhet të reagojmë me preventivën që kjo të mos ndodhë, ndërsa kam frikë se hapësira jonë për manovrim është kurrfarë që kjo të ndodhë”, ka thënë Ljajic ben te ditur Telegraf.
Ai ka thënë se vendimi për doganat në veri nuk merret në Prishtinë dhe se Prishtina nuk do të dërgojë policët dhe doganierët e saj në kufi “pa pajtimin e zyrtarëve të rëndësishëm ndërkombëtarë”.
Vulat, më 16 shtator implementimi i paktit
Qeveria e Kosovës ka vendosur që më 16 shtator të nisë implementimi i marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore.
Kryeministri Hashim Thaci, gjatë mbledhjes së kabinetit të tij deklaroi se, me këtë marrëveshje Serbia de jure ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“Nga 16 shtatori do të fillojë të zbatohet marrëveshja dhe të gjithë do t’i nënshtrohen rregullave të reja që do të aplikohen”, ka deklaruar Thaci.
Marrëveshja për vulat doganore mes Serbisë dhe Kosovës u arrit në raundin e bisedimeve të dy shtatorit, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Për t’u siguruar për arritjen e një marrëveshjeje, i dërguari i Catherine Ashton, Robert Cooper zhvilloi para kësaj date vizita në Beograd dhe Prishtinë.
Bogdanovic: Ditë të vështira për serbët në veri
I ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic bëri thirrje që serbët e veriut të tregojnë unitet, sepse sipas tij, ditë të vështira po vijnë dhe ata duhet të përballen me prova të mëdha.
Bogdanovic, bën të ditur Kosovapress, ka deklaruar se Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj.
“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë ‘sa më keq, aq më mirë’ dhe se po tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.
Top Channel