Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka deklaruar pas mbledhjes së kryesisë së këtij institucioni, se anëtarët e koalicionit qeveritar nuk kanë ndërmend ta braktisin atë.

Deklaratën e tij, Krasniqi e bëri pasi u pyet nga gazetarët lidhur me mundësinë e hyrjes së partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion, gjë për të cilën kryeparlamentari nuk u shpreh kundër.

“Partnerët e koalicionit nuk kanë ndërmend të largohen. Ndërsa hyrja e një subjekti tjetër vetëm sa do ta përforconte koalicionin qeverisës”, ka deklaruar Krasniqi.

Zërat për një bashkim të AAK-së me koalicionin qeverisës të drejtuar nga Partia Demokratike e Kosovës filluan të qarkullojnë pas një vizite që ambasadori amerikan Christopher Dell zhvilloi para pak ditësh në selinë e AAK-së.

Media të ndryshme kosovare raportuan se Dell i sugjeroi partisë opozitare që të zërë vendin e PD, parti me parime fetare, e cila ka shprehur pakënaqësi ndaj koalicionit aktual.

Ndërkohë, në mbledhjen e së martës të kryesisë u caktua mbledhja e Kuvendit në datat 22 dhe 23 shtator, në të cilën do të diskutohet edhe projektligji për qendrën historike të Prizrenit.

Projektligji në fjalë u kthye pak kohë më parë tek qeveria e Kosovës, pas kundërshtimit të lëvizjes Vetëvendosje, e cila e cilësoi atë si një tallje me Kuvendin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA