KiE: Të ndalet aborti i foshnjave femra

13/09/2011 10:45

Këshilli i Europës bëri thirrje për të ndërmarrë masa ekstreme kundër
abortit të foshnjave femra, fenomen ky që ekziston në të gjithë botën,
por që në Shqipëri dhe disa vende të tjera të Azisë Qendrore gjatë dy
dekadave të fundit duket se ka marrë përmasa katastrofike.

“Parapëlqimi për djem dhe diskriminimi i vajzave janë kaq të përhapura sot nëpër botë, sa që në mënyrë spontane apo nën presion, miliona gra vendosin të mos lindin vajza, të cilat konsiderohen barrë për familjet, pasi nuk janë në gjendje të ofrojnë trashëgimi”, thuhet në një projektrezolutë të publikuar dje nga Këshilli i Europës.

Projektrezoluta është përgatitur nga Doris STUMP e grupit socialist zviceran.

“Ka prova të forta se selektimi seksual para lindjes nuk është një fenomen i kufizuar në Azi. Gjatë viteve të fundit, një largim nga raportet gjinore natyrore në lindje është vënë re edhe në një numër vendesh anëtare të Këshillit të Europës dhe ka arritur në përmasa shqetësuese në Shqipëri, Armeni e Azerbajxhan, ku numri i foshnjave meshkuj kapërcen numrin e femrave në raport 112 me 100, si dhe në Gjeorgji ku raporti gjinor në lindje është 11 djem për 100 vajza”, thuhet në projektrezolutë.
Raporti natyror gjinor është një teori demografike që vlerëson se në botë lindin mesatarisht 105 meshkuj për 100 femra.

I konsideruar prej shekujsh si një problem më së shumti aziatik, vrasja e vajzave të sapolindura duket se nuk ka ekzistuar në shumë vende të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë. Të dhënat demografike historike për Shqipërinë tregojnë se vdekshmëria foshnjore ka qenë më e lartë për meshkujt se sa për femrat, gjë që shërben si argument për të treguar se pas lindjes, meshkujt dhe femrat në Shqipëri konsiderohen njësoj të rëndësishme dhe se jeta është e shenjtë pas lindjes.

Por ka arsye të dyshohet se e njëjta shenjtëri e jetës nuk ekziston në ndërgjegjen e shqiptarëve për foshnjat që nuk kanë lindur ende.

“Asambleja e dënon praktikën e selektimit gjinor para lindjes, si një fenomen që i ka rrënjët në kulturën e pabarazisë gjinore dhe që përforcon klimën e dhunës kundër grave, në kundërshtim kjo me vlerat e Këshillit të Europës”, thotë projektrezoluta.

“Duke kujtuar Konventën e Këshillit të Europës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, [asambleja] beson se presioni shoqëror dhe familjar mbi gratë për t’i detyruar të ndalojnë shtatzëninë për shkak të seksit të embrionit/fetusit duhet të konsiderohet si një formë e dhunës psikologjike, ndërsa praktika e abortit të detyruar duhet të kriminalizohet”, vijon më tej projekti.

Projektrezoluta mund të bëhet detyruese për Shqipërinë në rast se ajo miratohet nga Asambleja e Këshillit të Europës. Ajo bën thirrje për të ndërmarrë masa të shumta për të luftuar këtë fenomen, i cili ka pasoja dramatike psikologjike për gratë dhe njëkohësisht ka pasoja të rënda shoqërore në të ardhmen, pasi sjell mbipopullimin e meshkujve.

“Asambleja dëshiron të paralajmërojë anëtarët e Këshillit të Europës për pasojat shoqërore të seleksionimit gjinor para lindjes, konkretisht disbalancave në popullatë që në të ardhmen do të sjellin vështirësi për meshkujt në kërkim të grave, si dhe do të sjellin dhunime të rënda të të drejtave të njeriut si prostitucioni i detyruar, trafikimi për qëllime martese dhe shfrytëzimi seksual. Mund të sjellë edhe rritje të kriminalitetit dhe pakënaqësisë shoqërore siç vërehet në studimet që demonstrojnë lidhje [shkakësore] mes deformimeve të raporteve seksuale në lindje dhe normës së kriminalitetit”, vijon më tej projektrezoluta.

KiE bën gjithashtu të ditur që i ka sugjeruar vendeve anëtare të ndalojnë seleksionimin gjinor në rastet e riprodhimit të asistuar dhe se përjashtim nga ky ndalim duhet të bëhet vetëm në rastet kur sëmundjet e trashëgueshme gjenetike lidhen me gjininë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA