Bashkimi Europian do të propozoje të premten një mekanizëm sipas të cilit do të pezullohet pjesëmarrja e disa vendeve në zonën e Shengenit, një lëvizje që sipas diplomatëve europianë, lidhet drejpërdrejt me Greqinë dhe presioneve ndaj saj për të mbajtur emigrantët e paligjshëm jashtë këtij blloku.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja britanike, “Financial Times” sipas të cilës Greqia, vendi në zemër të Europës, me krizën më të madhe të borxhit, ka për më shumë se një dekadë që është kthyer në hallkën më të dobët të kufijve të BE, duke e pasur të pamundur të kontrollojë vijën kufitare lindore me Turqinë dhe ishujt e saj të shpërndarë në Egje.
Propozimet e BE, sipas gazetës do të realizoheshin për t’u përdorur si një mjet i fundit, pasi një vend anëtar të kishte dështuar në detyrimet e tij ndaj ndihmës europiane. Por disa zyrtarë europianë besojnë se Greqia tashmë e ka arritur këtë pikë, pavarësisht forcës ndërkombëtare FRONTEX dhe 350 milion eurove që do marrë deri në vitin 2013 nga ndihmat europiane për ruajtjen e kufijve. Statistikat tregojnë se në 2010-n hynë në mënyrë të paligjshme në BE, 104.000 emigrantë ilegalë, prej të cilëve 88.000 vetëm nga Greqia.
Megjithë ngjarjet e “Pranverës arabe” që rriten numrin e këtyre emigrantëve nga Malta dhe Italia, përsëri rrjedha më e madhe drejt Europës vjen nga Greqia, ku me gjithë masat e marra, prej janarit të këtij viti nga kufijtë turq kanë hyrë përsëri mbi 26.000 emigrantë ilegalë.
Athina ka premtuar forcimin e kontrolleve në kufijtë e saj, por përballet me një mungesë buxheti të paparë dhe me nevojën për shkurtimin e thellë të shpenzimeve për shkak të krizës. Kjo shton dyshimet tek partnerët europianë nëse kontrolli për emigracionin e paligjshëm është një prioritet.
Nëse propozimi bëhet realitet, atëherë midis Greqisë dhe vendeve anëtare të hapësirës Shengen do të vendosen përsëri kontrollet e pasaportave në pikat kufitare për udhëtimet nga Greqia drejt vendeve europiane, ndërsa ngelet i pasqaruar fakti se si do të veprohet për shtetasit shqiptarë të cilët prej janarit të këtij viti, udhëtojnë drejt Greqisë vetëm me pasaportën biometrike, ashtu si për të gjitha shtetet e tjera të zonës së Shengenit.
Top Channel