Pak ditë pasi mori detyrën, komandanti i ri i KFOR-it Erhard Drews zhvilloi vizitën njohëse në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai u prit nga ministri Agim Ceku dhe komandanti i forcës së sigurisë Sylejman Selimi. Një takim ky, i cili zgjati gati dy orë por pas të cilit nuk pati deklarata për mediat.
Komandanti i KFOR-it e po kështu edhe ministri Agim Ceku u larguan pa bërë ndonjë koment.
Sidoqoftë, në një njoftim thuhet se komandanti i Drews premtoi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë mes KFOR-it dhe MFSK-së e FSK-së.
Ndërsa ministri Ceku, pasi i uroi emërimin në detyrën e komandantit të KFOR-it, gjeneralin Drews e njoftoi me arritjet e FSK-së në të gjitha fushat, në përmbushjen e detyrave, misionit dhe të detyrimeve kushtetuese, si dhe për punën e vazhdueshme që po bën Ministria dhe FSK-ja për plotësimin e kapaciteteve të plota operacionale.
Ministri Agim Ceku është shprehur i bindur se do të vazhdojë bashkëpunimin e mirë edhe me komandantin e ri të KFOR-it dhe se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej.
Ditën e djeshme gjenerali Drews takoi presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, me të cilën diskutoi mbi mundësinë e angazhimit të FSK-së në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
Drews zëvendëson në këtë detyrë bashkëkombasin e tij Erhard Byhler dhe e merr kryesimin e KFOR-it në një moment kritik, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës.
Pritet që këto ditë gjenerali i ri të japë vlerësimin e tij për planin operacional të qeverisë së Kosovës për vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë në pikat 1 dhe 31.
Top Channel