Erdogan, mbështetje shtetit palestinez

13/09/2011 17:15

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka deklaruar se njohja e një shteti palestinez është një detyrim dhe jo një opsion.

Ai u tha përfaqësuesve të Lidhjes Arabe se, “brenda fundit të këtij viti ne do të shohim një situatë tërësisht ndryshe në Palestinë”.

Zoti Erdogan bëri një sulm të ri ndaj Izraelit, duke thënë se mentaliteti i qeverisë së tij është një pengesë për paqen në Lindjen e Mesme.

Aktualisht palestinezët po përgatisin një projekt/rezolutë për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pavarësisht kundërshtimeve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.

Erdogan ndodhet në Egjipt në kuadër të një samiti mes tre shteteve arabe, liderët e të cilave u rrëzuan, në përpjekje për të përforcuar rolin e Turqisë në rajon.

Marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin janë përkeqësuar që kur komandot izraelitë bastisën një anije me ndihma për në Gaza në maj të vitit të kaluar, ku vranë nëntë aktivistë turq.

Izraeli nga ana e tij ka refuzuar t’i kërkojë falje Ankarasë edhe pas raportit të publikuar nga Kombet e Bashkuara, që e cilësonte si “të tepruar” dhunën e përdorur nga komandot izraelitë në anije.

Kryeministri turk, që ka fituar popullaritet mes arabëve për qëndrimin e tij ndaj Izraelit, u takua më herët me një turmë të entuziazmuar në Kajro.

Zoti Erdogan bëri thirrje për mbështetje për Palestinën, në përpjekje për të fituar njohjen e saj nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Ne duhet të bashkëpunojmë me vëllezërit tanë palestinezë. Cështja palestineze është një kauzë për dinjitetin njerëzor”, tha Erdogan gjatë takimit me përfaqësuesit e vendeve arabe.

Fjalimet e tij u transmetuan direkt në televizionin egjiptian. “Është koha të ngrihet flamuri palestinez në Kombet e Bashkuara. Le të bëhet ngritja e këtij flamuri simbol i paqes dhe drejtësisë në Lindjen e Mesme”, u shpreh Erdogan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA