Bomba dhe të shtëna trondisin Kabulin

13/09/2011 16:40

Atentate vetëvrasëse dhe sulme të dhunshme me armë zjarri kanë tronditur paraditen e së martës qendrën e Kabulit, në Afganistan.

Sipas mediave ndërkombëtare, objektiv i sulmeve me bomba, të cilat kanë shkaktuar të paktën 6 të vdekur dhe 16 të plagosur, ka qenë selia e ambasadës amerikane.

Ndërkohë, persona të armatosur janë vendosur në një ndërtesë të lartë prej nga mbikëqyrin qendrën e qytetit dhe shkëmbejnë zjarr me policinë.

Guerrilasit talebanë kanë njoftuar ndërkohë se janë ata prapa këtyre sulmeve, që vijnë vetëm pak javë pas atentatit vetëvrasës ndaj konsullatës britanike, ku mbetën të vrarë 12 vetë.

Deri tani është konfirmuar se katër policë dhe dy civilë janë vrarë. Ministria afgane e Shëndetësisë ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve “Reuters” bilancin e viktimave.

Atentatet e së martës duket se kanë qenë pjesë e një operacioni kompleks, pasi sulmet vetëvrasëse kanë pasur si objektiv zonën e ambasadave të huaja, si dhe atë përreth selisë së Parlamentit në perëndim.

Një zëdhënës i talebanëve ka deklaruar se grupi po kryen një fushatë atentatesh vetëvrasëse kundër bazave të shërbimeve të inteligjencës, të huaja dhe lokale në Abdul Hak, pranë Kabulit.

Korrespondenti i BBC në Kabul thotë ndërkohë se një atentator vetëvrasës u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë teksa ishte drejtuar për në aeroport.

Komanda e trupave ndërkombëtare në Afganistan, ISAF, ka deklaruar nga ana tjetër se nuk ka pasur asnjë humbje në radhët e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA