BB: Shqipëria, më e korruptuara

13/09/2011 16:30

Banka Botërore vëren se Shqipëria është vendi më i korruptuar në rajon
dhe i kërkon qeverisë të përshpejtojë reformat për të nxjerrë sektorin
publik nga korrupsioni.

“Perceptimi i korrupsionit, në sensin e atyre që paguajnë rryshfet, ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit, sipas studimeve tona, por është sërish i lartë dhe është më i lartë se sa në vendet fqinje. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim”, tha Jane Armitage, drejtoresha e BB-së per Europen Juglindore

Kryeministri Berisha tha se qeveria ka bërë përpjekjet të mëdha në luftën kundër korrupsionit duke përmendur një sërë reformash, që sipas tij e luftojnë atë.

“Arritjet janë të pamohueshme. Ky vend është i vetmi vendi në Europë që i ka dyfishuar të ardhurat nga taksat dhe tatimet nga viti 2004, krahasuar me vitin 2009. Ky vend vendosi i pari në botë sistemin 100 përqind të prokurimeve elektronike, në sajë të ndihmës që na dha USAID-i”, tha Berisha.

Po Armitage tha se ligji i prokurimeve është shumë i mirë, por më e rëndësishme është zbatimi i tij.”Bizneset thonë se transparenca në prokurime është rritur, por disa prej tyre ngrenë shqetësimin se në fusha të caktuara ai nuk po zbatohet plotësisht”, tha Armitage

Drejtoresha e Bankës për Europën Juglindore ishte në Tiranë për të prezantuar një sërë raportesh dhe studimesh që lidhen me qeverisjen në Shqipëri. Një nga pikat më të nxehta që ajo ngriti pas korrupsionit është cështja e pronave.

“Në vecanti siguria e të drejtës së pronës eshtë thelbësore. Kjo është një cështje që prek të gjitha vendet e rajonit. Ka një konsensus të gjerë mes gjithë faktorëve se kjo është një fushë, ku Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat”, tha drejtoresha.

Banka thotë se ulja e korrupsionit dhe zgjidhja e cështjes së pronave janë jetike për të mos lënë ekonominë të zhytet edhe më thellë në vorbullën e krizës dhe pasigurive të mëdha që vijnë nga kriza europiane e borxheve.

“Të gjithë janë të shqetësuar se kriza e borxheve në Eurozonë dhe normat e ulëta të rritjes, do të godasin ekonomitë në zhvillim të rajonit. Shqipëria është shumë e lidhur me prosperitetin ekonomik të Europës Perëndimore. Normat e rritjes ekonomike, nuk janë më si më parë dhe është e rëndësishme që qeveria të ulë borxhin publik e për këtë i duhet të miratojë buxhete me deficit më të lartë se 3 përqind”, tha Armitage.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA