Ka mbërritur sot në Shkup ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara, Paul D. Wohlers, i cili ka rikonfirmuar mbështetjen e vendit të tij për proceset integruese të Maqedonisë.
Në takimin me ministrin e Jashtëm, Nikolla Popovski, Wohlers ka premtuar angazhimin e tij personal për anëtarësimin e vendit ballkanas në NATO, si dhe i ka vlerësuar si “të shkëlqyera” marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Amerika është e gatshme për të ndihmuar Maqedoninë në arritjen e qëllimeve të saj, si dhe për dialog të hapur dhe thellimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar diplomati.
Ndërsa ministri i Jashtëm Popovski i ka shprehur Wohlers mirënjohjen e tij për mbështetjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara.
Paul D. Wohlers është ambasadori i gjashtë i SHBA në Republikën e Maqedonisë. Së bashku me bashkëshorten e tij, ai mbërrit sot në Shkup në orën 11:42.
Para emërimit si ambasador, ai punonte si nënsekretar ekzekutiv në Departamentin e Shtetit. Ai ka qenë drejtor i Zyrës së Cështjeve të Kaukazit dhe konflikteve rajonale në Byronë për Cështjet e Evropës dhe Euro-azisë.
Top Channel