Zëvendëskryeministri kosovar, Hajredin Kuci ka deklaruar se për veriun e Kosovës duhet zbatuar plani “Ahtisari” dhe asnjë variant tjetër.
Në një intervistë për radion “Blue Sky”, Kuci është shprehur se idetë për një status të posacëm janë të kota dhe as që duhet të diskutohen.
“Qeveria është e fokusuar në vendosjen e rendit dhe ligjit, kontrollit doganor, si dhe për zhvillimin ekonomik të asaj pjese të vendit”, ka pohuar Kuci.
Reagimi i tij vjen pas propozimit të shefit të ICO-së, Peter Feith, që veriu i Kosovës të ketë një status autonom, njësoj si Katalonja në Spanjë.
Ditë më parë Kuci kërkoi gjithashtu nga Beogradi që të shkrijë strukturat paralele dhe kriminale në veri, të cilat sipas tij po të mos kishin mbështetjen e qeverisë serbe do të mbeteshin si “peshku pa ujë”.
Ai i cilësoi gjithashtu si “të papërgjegjshme” deklaratat për dy vula doganore në Kosovë, duke theksuar se Beogradi nuk mund të vendosë për Kosovën.
Top Channel