Shtetet e Bashkuara mbështesin qeverinë e Kosovës në shtrirjen e autoritetit dhe rendit e ligjit në veri të vendit.
Deklarata është bërë sot nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, i cili në emër të qeverisë amerikane ka përshëndetur edhe marrëveshjen e 2 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është e drejtë legjitime e qeverisë së Kosovës që ta ushtrojë autoritetin në kuadër të marrëveshjes së dy shtatorit”, ka deklaruar Dell.
“Ne e mbështesim qeverinë kosovare për shtrirjen e legjitimitetit të saj në veri dhe vendosjen e doganierëve dhe policëve kosovarë atje”, ka shtuar ai.
Këto deklarata diplomati amerikan i bëri pas një takimi të zhvilluar sot me zyrtarë të AAK-së, ku sipas mediave kosovare është diskutuar mbi kombinimin PDK-AAK, pas prirjeve të partisë fetare PD për të lënë koalicionin qeveritar.
EULEX: Nuk ka kthim prapa për veriun
EULEX-i deklaron se në veri të Kosovës nuk do të ketë kthim të gjendjes para 25 korrikut dhe se pas 16 shtatorit do të vihet kontrolli doganor.
Sipas planit të EULEX-it dhe pushtetit në Kosovë, dogana do të vendoset vetëm në Bërnjak, përderisa Jarinje do të jetë e hapur vetëm për transportin publik, meqë pas shkaterrimit gjate incidenteve, nuk ka kushte teknike për kontroll të mallrave.
Përmes Bërnjakut do të mund të kalojë malli i akcizës. Kontrolli do të jetë i plotë, që do të thotë jo vetëm sasia dhe kualiteti por edhe dokumentacioni përcjellës dhe kushtet sanitare, inspektimi veterinar, dhe të gjitha hetime tjera doganore.
Më parë edhe kryeministri Thaci paralajmëroi gjithashtu se në pikat kufitare 1 dhe 31 do të vendosen agjentë dhe drejtues kosovarë.
Top Channel