Aleanca Kuqezi zhvilloi të hënën një protestë para Ministrisë së Jashtme duke
reaguar ndaj deklaratës së ministrit te Jashtëm grek,
Stavros Lambrinidis, disa ditë më parë rreth marrëveshjes për ujërat.
“Jemi kundër bisedimeve të fshehta Tiranë-Athinë. Rruga për në Bashkimin Evropian nuk kalon nëpërmjet Athinës”, thanë përfaqësuesit e Aleancës.
Sipas tyre, grekët kërkojnë tre kushte për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe heshtja e partive është turp i politikës shqiptare.
“Marrëveshja për ujrat të zbatohet”
Marrëveshja e ujërave ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zbatohet. Ky ishte mesazhi që ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis dërgoi nga Prishtina.
“Ne kemi investuar shumë në marrëdhëniet e mira me Shqipërinë. Ne presim plotësisht që kjo marrëveshje e nënshkruar nga dy vendet e lira dhe demokratike të zbatohet. Kjo është ajo që ne presim dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt”, është shprehur Lambrinidis.
Deklarata e shefit të diplomacisë greke erdhi nga Prishtina, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.
I pyetur nëse Greqia e mbështet Shqipërinë për statusin kandidat për në BE, Lambrinidis i cili do të vizitojë edhe Tiranën, u shpreh se shteti i tij si anëtar i Bashkimit Europian dëshiron që Shqipëria, të jetë si çdo vend në rajon.
“Ne duam që Shqipëria të jetë si çdo vend tjetër – në pozicionin e një shteti kandidat. Dhe arsyeja që do të shkoj atje me kolegun tim, Fratinin, është që të japim këtë mesazh të qartë dhe të fuqishëm, sepse ne kemi qenë protagonistë në aspiratat e shqiptarëve për përspektivën europiane”, tha Lambrinidis.
Sipas tij, kjo varet nga angazhimi i shqiptarëve dhe se mesazhe të tilla do t’i dërgojë në Tiranë me homologun italian, Franko Fratini, gjatë javës së ardhshme.
Greqia nuk do njohë Kosovën
Greqia nuk ndryshon qëndrim ndaj pavarësisë së Kosovës. Ministri i Jashtëm grek, Stavros Lambrinidis premtoi shumë mbështetje për persperktivën europiane të Kosovës, por gjatë vizitës në Prishtinë nuk dha asnjë shpresë për njohjen e shtetit kosovar.
Gjatë takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, kryediplomati grek kërkoi ndërkaq, që të vazhdojë dialogu me Serbinë.
“Siç e dini Europa nuk foli me një zë dhe në atë kontekst pozita e Greqisë është mjaft e njohur dhe nuk ka ndryshuar. Por gjithashtu, duhet të themi se prania ime këtu shpreh përkushtimin tim se do të qëndrojmë pranë popullit kosovar dhe do t’iu mbështesim në përpjekjet tuaja që t’i afroheni Europës dhe të keni perspektivë europiane”, tha Lambronidis.
Në anën tjetër kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi ka thënë se “kërkesa përnjohje” është e vazhdueshme nga Kosova, por pavarësisht mosnjohjes së deritanishme nga shteti grek, kryeministri Thaçi tha se raportet do të vazhdojnë të jenë miqësore.
Greqia është prezente në Kosovë në kuadër të KFOR-it, si dhe në Prishtinë prej disa vitesh e ka të hapur zyrën ndërlidhëse.
Para se të vinte në Kosovë kryediplomati grek ishte shprehur se “Greqia nuk ka presion për ta njohur pavarësine e Kosovës dhe se ky presion nuk do të mund të kishte ndonjë efekt”.
Top Channel