11 shtatori dhe ryshfetet për të luftuar përkrah Amerikës

11/09/2011 00:00

Edi Rama – Kullat binjake u goditën me forcën e verbër të së keqes në ditën kur prisnim miqtë e ftuar për Bienalen e Tiranës. Përmasën tragjike të pasojave të sulmit djallëzor mu në zemrën e fuqisë më të madhe tokësore të lirisë e të demokracisë, e ndjeva ato ditë jo vetëm përmes ekraneve të ndezur flakë e tym nga armiqtë e rinj të njerëzimit, po edhe nëpërmjet dalldisë që goditja shokuese shkaktoi në organizimin e Bienales. Fluturime të anuluara, frikë e patregueshme e atyre që kishin mbërritur ndërkohë në Tiranë, çorodi e plotë në një mikrobotë njerëzish nga shumë vende të botës, që reflektonte gjendjen e vetë botës së lirë në ato momente tmerri, pasigurie, mjegullimi të beftë të së nesërmes.

11 shtatori ishte shpërthimi i një konflikti marramendës mes dy botësh, demokracisë dhe fashizmit të rishfaqur me armët e terrorit fondamentalist nën vellon islamike ku nuk fshihej profeti i madh i botës myslimane, po demonët e shkretëtirave morale e shpirtërore që me pushkë në krahë e me emrin e Allahut në gojë kishin ngritur në këmbë, në terrin e injorancës e të varfërisë, një armatë të padukshme të verbërish të kthyer në bomba të urrejtjes njerëzore. 11 shtatori ishte rishfaqja në një formë të re e së keqes që bota e lirë e mendonte të zhdukur njëherë e mirë nga faqja e dheut me triumfin e përgjakshëm të Luftës së Dytë Botërore dhe Shqipëria e vogël u gjend vetiu në frontin e dikurshëm të forcave të lirisë, duke u rreshtuar kombëtarisht e shtetërisht në krah të aleatit të saj të madh. 11 shtatori i dhjetë vjetëve më vonë, pas goditjes mizore të kullave binjake, është një arsye për të qenë krenarë që për dhjetë vjet rresht dhamë, si komb e si shtet shqiptar, kontributin tonë në një luftë ku ishim ndër të parët që u vumë në dispozicion të Shtëpisë së Bardhë dhe nuk ngurruam asnjë sekondë të merrnim pjesë konsensualisht në të gjitha operacionet ushtarake apo të shërbimeve inteligjente që Shtetet e Bashkuara udhëheqin, qysh prej asaj dite kobzezë për botën ku jetojmë, me vendosmërinë e liderit të botës demokratike në mbrojtje të njerëzimit e të arritjeve kolosale të njeriut të lirë.

Kanë ndodhur shumë gjëra në këto dhjetë vjet. Shtetet e Bashkuara kanë paguar çmimin më të lartë në jetë njerëzore të humbura në fushat e betejave e në gjithçka u është dashur të sakrifikojnë nga jeta në paqe për të fituar luftën. Të tjerët me radhë kanë bërë sakrificat e tyre në jetë njerëzish e jo vetëm aq në frontin e mbrojtjes së vlerave të panegociueshme të lirisë e të demokracisë nga demonët e terrorizmit, fondamentalizmit, fashizmit oriental të mishëruar në diktatura obskurantiste e gjakatare brenda hartës së botës arabe e në shpirtra njerëzish të kapur prej Djallit kudo nëpër botë. Shqipëria ka bërë me dinjitet atë që i takon, sa i takon dhe si i takon. Por edhe armiku i ri i njerëzimit ka marrë atë që i takon duke e paguar siç e ka merituar deklaratën e luftës që i bëri botës së lirë. Është asgjësuar e flakur në fund të detit të turpit shëmbëlltyra demoniake e terrorizmit fondamentalist Osama Bin Laden dhe janë shkatërruar shumë vatra vluese të Al Kaedës. Është shembur përfundimisht regjimi botërisht i rrezikshëm i Sadam Huseinit. Është përhapur fryma e lirisë në hartën e botës arabe, ku lulet e një pranvere demokratike nisën të çelin aty ku askush s’e imagjinonte dhjetë vjet më parë dhe era e lirisë ka sikterisur tanimë sundimtarë të neveritshëm, duke vazhduar të trokasë me forcë sot e gjithë ditën në dyert e rënda të kështjellave të diktaturave më të korruptuara të planetit.

Ky dhjetëvjetor është dita për të rinënvizuar gatishmërinë e vendosmërinë tonë kombëtare e shtetërore për të vazhduar të bëjmë atë që na takon si shqiptarë, pa dallime politike e fetare, në mbrojtje të interesave globale e të vlerave demokratike që përfaqëson fronti i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara brenda bllokut të NATO-s. E kemi bërë kur s’ishim në NATO, do ta bëjmë pa asnjë ngurrim edhe në kuadrin e NATO-s atë që na kërkohet, me çdo çmim e sakrificë, ashtu siç pa pyetur as për çmimet as për sakrificat Shtetet e Bashkuara dhe NATO çliruan gjysmën e shqiptarëve të robëruar e masakruar nga diktatura e korruptuar e Sllobodan Millosheviçit. Por ky dhjetëvjetor është edhe dita për të reflektuar për mëkatet e qeverisë së sotme shqiptare që e kanë futur korrupsionin në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, duke e keqpërdorur tinëzisht e babëzisht mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara e të NATO-s dhe duke nxjerrë përfitime të paligjshme financiare. Kush më shumë e kush më pak, në elitën e pushtetit dhe në atë të forcave tona të armatosura. Saliu e oborri i tij e kanë bërë përmes kanaleve të llumit të përgjakshëm të Gërdecit ku kontrabanduan sasira të mëdha municionesh me kosto njerëzore e financiare të tmerrshme për Shqipërinë, ndërsa disa gjeneralë shqiptarë, duke heshtur para këtij korrupsioni të neveritshëm, ose duke marrë ryshfete nga rekrutët për t’i futur në listat e misioneve të NATO-s në Irak apo Afganistan. S’është Saliu i pari Kryeministër i këtij vendi që rreshtimin natyral të popullit shqiptar në krah të Shteteve të Bashkuara dhe gatishmërinë e vendosmërinë konsensuale të politikës shqiptare për t’iu përgjigjur çdo kërkese të frontit të luftës kundër terrorizmit pas 11 shtatorit, e përdor si kartabiankë për të shkelur në Shqipëri liri e të drejta, për të abuzuar me shtetin e me ligjin, për të garantuar stabilitet falë cenimit të demokracisë dhe keqpërdorur mbështetjen tradicionale të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si këmbim në mbështetje për karrigen e tij.

Por Saliu është padyshim i pari Kryeministër qysh nga 11 shtatori i vitit 2001 që proamerikanizmin e popullit shqiptar dhe mbështetjen e paçmueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë e përdor për të grabitur zgjedhjet e për ta kthyer në fakt të kryer përmes votave të vjedhura qeverisjen e qytetarëve të këtij vendi, në nivel kombëtar a vendor. Është i pari Kryeministër që nxit kërcënimin me jetë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për të fshehur gjurmët që lidhin një megaaferë korrupsioni si ajo e Gërdecit me derën e shtëpisë së tij dhe po ashtu është i pari që lëshon baltë e jargë në publik kundër opozitës, prokurorisë, drejtësisë, Presidentit të Republikës, për të mbyllur me kapakun e dhunës verbale e të shantazhit qeveritar zgafellën kutërbuese të mëkateve të veta në qeverisje, ku Gërdeci është më i përgjakuri po s’është gjëkundi i vetmi. Është i pari Kryeministër që bëhet mburoja e korrupsionit gëlues në Ministrinë e Mbrojtjes e në radhët e gjeneralëve shqiptarë, duke mbyllur sytë për ryshfetet më të turpshme që mund të parafytyrohen në një vend të NATO-s, në këmbim të mbylljes së syve të gjeneralëve përpara rrugëve të shpërdorimit korruptiv ku kalojnë armatimet, municionet apo pronat e administruara nga ajo ministri. Të cilat po i transferohen oborrit të pushtetit të sotëm duke kthyer në zotërues tokash në bregdet e në pikat më panoramike të Shqipërisë njerëz që kanë vetëm një meritë, lidhjet familjare a klanore me Saliun, dhe duke lënë me gisht në gojë qoftë ish-pronarët e zhveshur nga diktatura komuniste, qoftë popullin që meriton pjesën e vet të pasurisë publike nga vënia në shfrytëzim e atyre pronave. Saliu është i pari Kryeministër që në emër të stabilitetit të një vendi të NATO-s vrau me pushkë në mes të bulevardit qytetarë protestues dhe përzjeu ushtrinë në sfondin e atij krimi shtetëror, duke folur para gjeneralëve me gjuhën e Kryeministrit të një shteti në luftë, ndërkohë që përballë nuk kishte armikun po opozitën e vendit, e duke nxitur ministrin e Mbrojtjes të kërcënonte opozitën në konferenca shtypi si ato të Ali Komikut në Bagdad kur nisën bombardimet mbi regjimin sadamist apo si ato të një komiku tjetër në Tripoli, kur poturet e Saliut të atjeshëm filluan të mbanin erën karakteristike që paralajmëron fundin e një sundimi mizerabël.

11 shtatori i dhjetë vjetëve më vonë e gjen Shqipërinë me krenarinë për gjithçka populli, forcat politike pa dallim, misionet tona ushtarake në Irak e Afganistan bënë në mbrojtje të vlerave të botës së lirë krah për krah me Shtetet e Bashkuara. Por edhe me detyrimin themelor për të mishëruar vlerat e lirisë e të demokracisë në funksionimin e Parlamentit, qeverisë, shtetit shqiptar si shërbëtor i qytetarëve të këtij vendi. Të cilët kanë merituar gjithë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i japin prej njëzet vjetësh popullit shqiptar, po nuk meritojnë të keqpërdoren nga askush që mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë e keqpërdor për të mbajtur shqiptarët peng duke u vjedhur votën, pronën, lekët. Duke u vjedhur vetë shpresën se një ditë do ta gjejnë në atdheun e tyre Amerikën e ëndrrave e të shpresave, të barazisë para ligjit e të mundësive të barabarta. Amerikën e qytetarëve të lirë dhe të qeverive të zgjedhura nga qytetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA