PS: Integrimi, jo propagandë gadafiste

08/09/2011 19:55

Integrimi europian i Shqipërisë lidhet ngushtësisht me performancën e institucioneve, në veçanti parlamentit ku që prej të hënës është rikthyer opozita.

Por cili do të jetë roli i opozitës në proçeset integruese përfshi kontributin e saj të munguar siç u shpreh ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu? Këto dhe  dhe të tjerave pyetje marrin përgjigje nga deputeti Ditmir Bushati.

“Ne jemi në Parlament pasi jemi shumë të interesuar për integrimin europian të Shqipërisë. Kemi qenë, jemi dhe do të japim kontributin tonë për këtë proçes që shkon përtej ndasive politike. E kemi bërë që në dhjetorin e 2010-s, një muaj pas publikimit të opinionit të Komisionit Europian për Shqipërinë, me një rezolutë e cila u hodh poshtë në mënyrë kokëfortë nga mazhoranca parlamentare. Dhe ja ku jemi sot një vit më pas. Në gjykimin tonë asnjë nga këto kritere të caktuara nga BE nuk janë përmbushur. Nuk do të keni luksin të gjeni opozitën shqiptare që mund të fërkojë duart nga dështimi i Shqipërisë në proçesin e integrimit europian”, është shprehur Bushati.

Integrimin europian, zoti Bushati, e konsideron jo thjesht të bërit propagandë, por kërkon përputhje vullnetesh.

“Opozita shqiptare është duke punuar intensivisht dhe është duke nxitur çdo segment të qeverisë për të përmbushur detyrimet që burojnë nga proçesi integrimit europian. Por ne gjithashtu po punojmë që integrimi europian mos të kthehet në propagandë gedafiste siç rezulton propaganda me pensionet ku u thuhet pensionistëve se ju bëjmë mrekullira ku çdo vit u rrisim pensionet, çmimet rriten, po ashtu tani rritet edhe mosha e daljes në pension. Ne nuk duam që propaganda e integrimit europian të përfundojë në këtë mënyrë, por duam një set të plotë reformash për shtet ndërtimi. Ne do të jemi në parlament dhe do të vazhdojmë betejën tonë për të imponuar vizionin tonë për ndërtimin e Shqipërisë europiane”, tha Bushati.

“Si dështime spektakolare të qeverisë Berisha”, ky është vlerësimi i deputetit Bushati për realizimin e 12 prioriteve të vendosura nga Brukseli.

“Opozita shqiptare nuk ka detyrime për mospërmbushjen e detyrimeve europiane në këtë proçes. E gjithë retorika ndaj opozitës me fjalë magjike apo me një zemëratë të amullt që drejtohet nga qeveria kundrejt opozitës, nuk tregon gjë tjetër përveç dështimit spektakolar të kësaj qeveri për të përmbushur kriteret specifike që ka vendosur brukseli”, theksoi Bushati.

Votimi ligjeve që kërkojnë 3/5 në parlament, pjesë e plotësimit të kriterit të dytë në listën prioriteteve të Brukselit mbetet për t’u parë nëse do të marrin votën e socialistëve.

“PS e ka bërë të qartë që nuk mund të votojmë arrna ligjesh që tentohen t’i shiten Brukselit dhe partnerëve ndërkombëtarë si ligje në kuadër të integrimit. Por do të kontribuojmë për ligjbërje sa më të mirë, sidomos të këtyre ligjeve që ju përmendët që kërkojnë 3/5. Sepse më të rëndësishme se bërja e ligjeve për ne, është se si do të zbatohen këto ligje”, tha Bushati.

Pavarësisht prononcimeve për integrimin nga të dyja palët do të jetë progres raporti i Komisionit Europian më 12 tetor që do të na tregojë një fotografim real se ku ka çaluar apo evoluar ky proçes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA