Raporti i ambasadorit Eugen Wollfarth është bërë publik nga zyra e tij e
shtypit në Tiranë. Ai ka si bosht krizën politike në vend.
Në raport p.sh shkruhet “Vetëm kur të gjitha palët të fillojnë të kuptojnë plotësisht se çfarë do të thotë vërtet të jesh në Qeveri dhe çfarë do të thotë të jesh në Opozitë në një sistem demokratik, do të mundet Shqipëria të bëjë një përparim domethënës”. Ambasadori i fton palët që raportin e fundit për zgjedhjet të zyrës së OSBE-së për të drejtat e njeriut dhe institucionet demokratike, ta lexojnë të plotë dhe jo duke përzgjedhur pjesët që u pëlqejnë.
Rekomandimet e raportit për zgjedhjet e vitit 2011 dhe ato të raportit për zgjedhjet e vitit 2009, duhet të përkthehen në një reformë zgjedhore teknikisht të shëndoshë, të konsultuar gjerësisht dhe sa më konsensuale. Raporti ndalet edhe te protestat e 21 janarit, për të cilat thotë se u organizuan nga opozita. Por se si ndodhën katër vdekje dhe identifikimi i personave përgjegjës, kjo sipas ambasadorit duhet të jetë fokusi i hetimeve, nga të cilat ende nuk ka një rezultat të prekshëm.
Raporti i ambasadorit Wollfarth denoncon gjuhën e ashpër të përdorur nga të dyja palët, por jo më pak edhe nga qeveria kundër Presidentit të Republikës dhe Prokurores së Përgjithshme. Kjo situatë që zgjati ngërcin politik ka cuar në një bllokim të procesit legjislativ, në ato fusha ku lipsen një shumicë e cilësuar prej 3/5, si psh. Kodi Zgjedhor, ligji për Gjykatën Administrative, ligji për konferencën gjyqësore apo zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit. Raporti denoncon korrupsionin në sistemin gjyqësor dhe evidenton zvarritjen e procesit të Gërdecit prej mosparaqitjes së përsëritur të avokatëve. Kjo, sipas ambasadorit Wollfarth përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor.
Raporti ndalet, ndër të tjera, edhe te liria e shprehjes, ku bie në sy ky formulim: Ajo që po vihet re, është se qeveria është në gjendje të “inkurajojë” disa media më shumë se të tjerat, ose duke u dhënë në mënyrë selektive reklama publike, ose duke përdorur dispozita të veçanta në kontrata qiradhënieje për mjedise shtetërore me media të caktuara, në një përpjekje për të nxjerrë disa dhe/ose për të futur në këto mjedise disa të tjera”.
Raporti kryqëzon edhe projektligjin për transmetimet me zë dhe me figurë, që po diskutohet në komisione parlamentare, për të cilin thotë se ka të meta serioze në lidhje me kompetencat që i jepen organit mbikëqyrës të medias elektronike, si edhe sa i përket përbërjes politike të këtij organi. Prezenca e OSBE-së në Tiranë, ashtu sic kemi raportuar në të shkuarën, i ka paraqitur vërejtjet e saj me shkrim për këtë projektligj. Duke qenë se raporti ka si bosht krizën politike, ai mbyllet me këto fjali: “Viti që vjen do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë – në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”
Top Channel