Bazuar në kabllogramet diplomatike të publikuara nga Wikileaks, thuhet se në vitin 2009, një përplasje mes
Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është evituar falë
një ndërhyrjeje të ambasadorit amerikan në Kosovë, Christopher Dell.
Sipas kabllogrameve, bën të ditur Telegraf, gjendja u tensionua kur Misioni Evropian i Sundimit të Ligjit (EULEX), kishte planifikuar të nënshkruante një protokoll me Serbinë, veprim që e kishte acaruar shumë kryeministrin Hashim Thaçi, i cili për këtë arsye kishte urdhëruar dërgimin e 25 pjesëtarëve të Njësisë Special në veri të vendit, për të mbrojtur të kthyerit shqiptarë në shtëpitë e veta.
Në atë kohë edhe EULEX kishte tentuar ta sfidonte Qeverinë e Kosovës, sipas kabllogrameve që tregojnë se ky mision kishte dërguar dy njësi që merren me trazira, të përbërë nga 100 pjesëtarë francezë, rumunë dhe polakë që ishin vendosur mbi lumin Ibër.
“Mirëpo, kthimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës ishte bërë pas 20 orëve gjendjeje të nxehtë me EULEX-in, me një urdhër të kryeministrit Thaçi, i cili paraprakisht kishte marrë një telefonatë nga ambasadori amerikan”, thuhet në kabllogram.
Wikileaks, Franca kushte Serbisë
Wikileaks ka zbuluar informata interesante sa i përket raporteve Francë-Serbi në lidhje me Kosovën. Sipas informatave të fundit që janë publikuar, Franca ia ka bërë të qartë Serbisë se nuk mund të hyjë në BE pa e pranuar pavarësinë e Kosovës.
Në një letër të dërguar nga ambasada e SHBA-së në Bruksel përmendet një raport nga takimi i drejtorëve politikë të Kuintit (Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Sekretariatit të Këshillit të Evropës) që është mbajtur më 11 janar 2010, ku Serbia “ishte dekurajuar fuqishëm” në kërkesën e saj që në OKB të fillojnë bisedimet për statusin e Kosovës.
Ambasadori i SHBA-së në BE, Uiliam Kenard kishte thënë se qëndrimi i Francës është po ashtu që në formularin për aplikim të Serbisë detyrimisht qëndron njohja e pavarësisë së Kosovës. Drejtori politik i Francës, Rolan Galarazh kishte thënë po ashtu se Franca nuk dëshiron një Qipro të re.
Top Channel