Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen ka hedhur poshtë idenë e ndarjes së Kosovës.
Në një takim të zhvilluar sot me presidenten Atifete Jahjaga, Rasmussen ka shprehur shqetësimin për situatën në veri, si dhe e ka vënë theksin tek gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Është i rëndësishëm vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Nga ana e saj, NATO do vijojë të luajë rolin e saj për ruajtjen e paqes në Kosovë”, ka deklaruar Rasmussen.
Gjithashtu, ai ka premtuar ndihmën e Aleancës së Atlantikut të Veriut në profesionalizimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në këtë drejtim, presidentja Jahjaga kërkoi që Kosova, pavarësisht se nuk njihet nga 4 vende anëtare të NATO-s, të jetë pjesë e Partneritetit të Paqes.
Ajo ka shtuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për normalizimin e situatës në veri dhe për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.
Top Channel