Olldashi: Akuzat, shpifje ndaj meje

07/09/2011 20:10

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka hedhur poshtë duke i cilësuar si të pavërteta akuzat se ka krijuar monopol me linjat ndërkombëtare të internetit.

Zoti Olldashi i cilësoi akuzat si shantazhe që po i bëhen nga një grup mediatik, për shkak se pak ditë më parë ka bllokuar ndërtimin e një pallati, sipas tij të paligjshëm, në periferi të Tiranës.

“Ky pallat i përket 100 për qind zotit Irfan Hysanbelli. Menjëherë më pas nga gazeta e këtij personi ka nisur një sërë akuzash ndaj meje”, ka deklaruar Olldashi.

Ndërkohë, zoti Olldashi tha se ka ngritur padi civile ndaj botuesit të gazetës “Panorama”.

“I jam drejtuar me një letër zonjës Ina Rama për t’i sugjeruar fillimisht nisjen e hetimeve për gjithcka që është shkruar në gazetë për mua. Dhe së dyti kam bërë kallëzim penal ndaj botuesit dhe ndërtuesit Hysanbelliu”, ka saktësuar Olldashi.

Dy ditët e fundit gazeta “Panorama” ka publikuar faksimiljen e një urdhëri të ministrit Olldashi, i cili sipas gazetës i jep monopolin e përdorimit të rrugëve kombëtare për shtrirjen e linjave të internetit një kompanie private me afat 40 vjet.

Sipas gazetës, më parë ministri Olldashi kishte shfuqizuar katër kontrata të ngjashme me biznese të tjera, duke ia dhënë tashmë me urdhërin e fundit të drejtën vetëm një kompanie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA