Kriza, shefat e diplomacive në Tiranë

07/09/2011 19:40

Javën e ardhshme pritet të mbërrijnë në Tiranë shefi i diplomacisë italiane, Franco Frattini dhe homologu i tij grek, Stavros Lambrinidis, në një mision të përbashkët që synon nxitjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ky mision, thotë “Zëri i Amerikës”, është i koordinuar me Bashkimin Europian. Për këtë arsye, ministrat do të shoqërohen edhe nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi.

Kryediplomatët e dy vendeve fqinje kanë ndërmend t’i kujtojnë Shqipërisë detyrimet ndaj Brukselit dhe t’i kërkojnë përmbushjen sa më të shpejtë të tyre, pasi në tetor Komisioni Europian do të bëjë raportin e vlerësimeve mbi ecurinë e vendit, si dhe do të paraqesë opinionin e tij mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat.

Frattini dhe Lambrinidis pritet të vizitojnë Tiranën në 12 shtator. Ministrat do të kërkojnë të nxisin dialogun politik në vend dhe përshpejtimin e reformave që nevojiten në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Së bashku me zotin Sequi, ata pritet të zhvillojnë bisedime me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, si dhe me kreun e opozitës Edi Rama.

Ata do të kërkojnë nga palët në Shqipëri angazhim më të madh për plotësimin e rekomandimeve  të misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë pas zgjedhjeve të 8 majit.

Në datat 8 dhe 9 shtator, Shqipërinë e viziton sakaq edhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, Joanis Aleksandros Zepos.

Burime pranë kësaj ministrie pohuan se diplomati i lartë grek do të zhvillojë takime me homologun e tij shqiptar Gazmend Turdiu, ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe kryeministrin Sali Berisha.

Në axhendën e konsullit Zepos pritet të jenë cështje të interesit të përbashkët, si dhe rruga europiane e rajonit të Ballkanit perëndimor.

Vizita e diplomatit të lartë grek, i cili ka qenë edhe negociatori i një sërë marrëveshjesh dypalëshe, ku më e përfolura ka qenë ajo e përcaktimit të kufirit greko-shqiptar, e njohur ndryshe si marrëveshja e detit, sjell sërish në pah, pikërisht këtë marrëveshje.

Burime tepër konfidenciale në Ministrinë e Jashtme greke i thanë Top Channel se zoti Zepos vjen në Tiranë me synimin e vetëm, mbylljen e kësaj cështjeje.

Greqia vazhdon ta konsiderojë marrëveshjen e detit si të mirë, edhe pse ajo u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese shqiptare dhe u kthye për rinegocim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA