Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Ernst Reichel ka deklaruar se vendi i tij mbështet përpjekjet e institucioneve kosovare për të shtrirë autoritetin në veri, por vetëm nëse ato bëhen në koordinim me misionet ndërkombëtare.
Në një takim me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuci, Reichel ka shprehur gjithashtu mbështetjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës.
Ndërsa ministri Kuci, i pyetur nga gazetarët mbi kabllogramet e Wikileaks, ka deklaruar se ka të vërteta, por edhe trillime.
Ai ka refuzuar të bëjë komente mbi marrëdhëniet Kosovë-BE, ndërkohë që është shprehur pro përsa i përket reformimit të PDK-së.
Gjermania i përsërit mesazhin Serbisë
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Ernest Rajhel ka përsëritur mesazhin e kancelares Angela Merkel në Beograd, se Serbia duhet të njohë Kosovën para se të anëtarësohet në BE.
“Kancelarja Merkel ka kërkuar nga qeveria e Serbisë që të pranojë realitetin e ri në Kosovë dhe të heqë dorë nga strukturat paralele në veri”, ka deklaruar Rajhel.
Deklaratën e tij diplomati gjerman e ka bërë gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj, të cilit i ka kërkuar më shumë përkushtim në bisedimet me Serbinë.
Nga ana e tij, ministri Hoxhaj ka dhënë garancinë e tij për angazhim serioz në bisedime, si dhe e ka njohur diplomatin me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Top Channel