Bregu: 12 prioritetet, test për politikën

07/09/2011 20:30

Minisrja e Integrimit Majlinda Bregu e ka komentuar pozitivisht rikthimin e opozitës në Parlament, duke e vlerësuar si një pjesë të domosdoshme në proceset integruese e vecanërisht në plotësimin e 12 rekomandimeve.

“Opozita është rikthyer pas një kohe të gjatë joinstitucionalizimi të iniciativave të saj. Abandonimi i Parlamentit ishte një vendim i kreut të opozitës. Unë e shoh si një shenjë të mirë faktin që zoti Rama ndërroi mendje për t’u rikthyer në këtë institucion që e përbuzi për dy vjet dhe që e zëvendësoi me cadra edhe më të paqëndrueshme se cadrat e diktatorit në Libi”, ka deklaruar Bregu.

Zonja Bregu e shikon plotësimin e kriterit politik, një prej 12 rekomandimeve, të lidhur ngushtë me angazhimet e opozitës.

“Në të gjitha iniciativat, si heqja e vizave, apo MSA-ja, detyrimet e qeverisë shqiptare, vetëm kur bëhej fjalë për reforma qeverisëse, janë plotësuar të gjitha. Reformat e tjera s’kanë pasur kontribut. Kontributi i opozitës është i munguar dhe i ndjerë. Nuk ka përgjegjësi as kryeministri, dhe as duhet të gëzojë kreu i një opozite që dicka nuk shkoi mirë për vendin e tij. Por procesi shkoi mirë. Ne kemi 12 rekomandime përpara, që janë një paketë që i ka ardhur Shqipërisë si test për të provuar bashkëpunimin politik. Ligjet që janë më shumë se 16 dhe që kërkojnë 3/5-tat janë bllokuar prej një viti. Rekomandimi tjetër, tërësisht i realizueshëm, është ai i katërt për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Nëse opozita pas 24 muajve ka vendosur të kontribuojë, duhet që këtë iniciativë të mos e stopojë”, është shprehur Bregu.

Pyetjes nëse Shqipëria do ta marrë ftesën për të qenë vend kandidat më 12 tetor, zonja Bregu jep këtë përgjigje:

“Procesi i integrimit nuk mbaron këtë vit dhe as për 2 vjet. Shqipëria ka plotësuar një pjesë të madhe të detyrimeve për në BE. Për të gjitha vendet, që kanë nevojë të binden se nuk do të ketë më dalje nga Parlamenti, ky vendim do të ishte një vendim që mund të merrej. Sot jemi më 7 shtator, në limitet kohore të vendimmarrjes dhe konsultimit me të gjitha vendet anëtare. Pres një raport që të vlerësojë kthimin e opozitës në Parlament dhe që ky kthim të lërë gjurmë në një të ardhme të afërt”, ka nënvizuar Bregu.

Lidhur me publikimet nga Wikileaks të kabllogrameve për Shqipërinë, ministrja e Integrimit deklaron se ato nuk do të kenë ndonjë ndikim negativ për imazhin e Shqipërisë.

“Nuk kam dëgjuar që të kenë ndikuar gjëkundi negativisht, të paktën në informacionin tim, botimet e Wkileaks, as për vendet fqinje edhe as për debatet në të cilat janë përfshirë. Për mua një gjë është kjo rrjedhje informacioni dhe një gjë tjetër qëndrimi i shtetit të cilit i është vjedhur informacioni, që është dhe partneri ynë më i rëndësishëm”, ka shtuar Bregu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA