I ashtuquajturi ministri për Kosovën pranë Qeverisë së Serbisë, Goran
Bogdanovic bëri thirrje që serbët e veriut të tregojnë unitet, sepse
sipas tij, ditë të vështira po vijnë dhe ata duhet të përballen me prova
të mëdha.
Bogdanovic, bën të ditur Kosovapress, ka deklaruar se Prishtina po kërcënon seriozisht me dërgimin e doganierëve në pikat kufitare dhe marrjen e këtyre pikave nën kontroll të saj.
“Është i papranueshëm fakti se në këto momente ka njerëz të cilët mendojnë ‘sa më keq, aq më mirë’ dhe se po tentojnë të keqpërdorin pozitën e vështirë të serbëve në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic.
Zyrtari theksoi se serbët duhet të mbrojnë interesat e tyre në Kosovë, duke mos përjashtuar mundësinë e rikthimit të barrikadave në rast se Prishtina tenton që me dhunë të dërgojë doganierët në pikat kufitare.
Edhe një ditë më parë negociatori serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanovic i ka bërë thirrje qeverisë së Prishtinës që të mos dërgojë doganierë në veri.
“Shteti ynë ka informacione se Prishtina po planifikon të bëjë një gjë të tillë në ditët e ardhshme”, ka deklaruar Stefanovic për mediat serbe.
Ai ka paralajmëruar autoritetet kosovare se një gjë e tillë është e papranueshme për Beogradin.
“Aksioni i Prishtinës mund të shkaktojë pasoja të rënda. Për më tepër, pikat kufitare as që kanë qenë temë e dialogut në Bruksel”, ka pohuar Stefanovic.
Ndërkohë në Bruksel javën e shkuar u arritën dy marrëveshje, një për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral. Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.
Kreu i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic, tha se me njohjen e vulave, pritet që Kosova “brenda 7-10 ditësh të heqë embargon ndaj mallrave të Serbisë” dhe të lirojë mundësinë e qarkullimit të lirë të mallrave nga Serbia në, siç tha ai, “pjesën tjetër të territorit të Serbisë”.
Kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri,i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëveshjet e arritura duke theksuar se shteti serb me këtë akt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në fushën e doganave.
Tahiri, bën të ditur Telegraf, theksoi se me arritjen e këtyre marrëveshjeve, institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë respektuar Kushtetutën, por edhe e kanë avancuar dhe fuqizuar interesin shtetëror dhe qytetar, duke shtuar se “gardianë” të respektimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.
Top Channel