Më 6 shtator policia e Kosovës shënon 12 vjet të themelimit. Pjesë e policisë kosovare që prej 11 vjetësh është edhe Elmina Mahmuti.

Kjo zonjë me titullin e kolonele aktualisht është drejtoreshë e Policisë Rajonale në qytetin e Gjilanit. Nën komandën e saj, aktualisht janë 603 efektive të policisë dhe mbi 100 persona të tjerë staf civil. 11 vjet pas inkuadrimit në polici, kjo zonjë e komunitetit boshnjak flet për përvojën në polici.

“Në fillim e kemi pasur problem, por më pas qytetarët na treguan ngrohtësi”, shprehet Elmina Mahmuti.

Ajo tregon se pse kishte vendosur t’i shërbente policisë: “Dëshira ime për të ndihmuar njerëzait e Kosovës ishte arsyeja kryesore për të hyrë në forcat e policisë.”

Në 12 vjetorin e themelimit të policisë së Kosovës folën drejtuesit e saj. Ata përgëzuan policët kosovare të cilët me punë dhe përkushtim po tregojnë shembullin më të mirë në rajon.

“Në një ditë të tillë kujtojmë të gjithë ata që kanë rënë në krye të detyrës duke mbrojtur rendin dhe qetësinë publike dhe duke luftuar krimin dhe dukuritë e tjera negative”, deklaroi në fjalën e tij Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme.

Më 6 shtator të vitit 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, kishte hapur Shkollën e policisë duke iu hapur rrugë trajnimeve të kandidatëve për pjesëtarë të Policisë.

Gjenerata e parë e kandidatëve numëronte 176 pjesëtarë, ndërkohë tani në gjithë Kosovën janë rreth 8 mijë efektivë. Nga formimi e deri më tani gjatë detyrës janë vrarë 14 pjesëtarë të policisë.

Rasti më i fundit ishte ai i Enver Zymberit, i cili u vra pas aksionit në veri të Mitrovicës. Nga radhët e kësaj policie vjen dhe presidentja aktuale Atifete Jahjaga.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA