Sekretari i përgjithshëm i Komisionit të Venecias, Thomas Markert thotë se reforma zgjedhore, që kryeson rekomandimet e BE-së për Shqipërinë, nuk duhet të ketë vetëm rregulla të mira, por edhe zbatim të tyre.
Në një intervistë për programin shqip të Deutche Welle, Markert pohon se autoritetet shqiptare i kanë marrë parasysh rekomandimet e mëparshme të komisionit dhe për këtë arsye legjislacioni zgjedhor i Shqipërisë është në përgjithësi në përputhje me standartet europiane.
Por problemi kryesor, sipas tij, për vendin tonë mbetet sjellja e kandidatëve me njëri-tjetrin.
Ky për Markert, është një çështje që lidhet me kulturën e njerëzve dhe një tipar i demokracive të reja, siç është dhe rasti i Shqipërisë.
“Nuk mjafton të kesh rregulla të mira, – shprehet ai, – por duhet edhe që ato të vihen në jetë me korrektësi”.
Markert përmend nevojën për adaptime të tjera të Kodit Zgjedhor, për t’iu përgjigjur, sipas tij, situatave të veçanta dhe sidomos qartësimin të disa rregullave, duke marrë në konsideratë zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të mëparshmet, zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.
Ekspertët e Komisionit të Venecias kanë filluar të studiojnë dokumentat e ndryshme lidhur me zgjedhjet e 2009 dhe ato lokale të 8 majit.
Më pas në Shqipëri do të vijë një delegacion i Komisionit të Venecias, ka të ngjarë të vijë aty nga gjysma e dytë të Tetorit për të identifikuar problemet dhe për të parë zgjidhjet e mundshme.
“Pas kësaj varet nga pala shqiptare për të realizuar rekomandimet dhe zgjidhjet e propozuara nga Komisioni i Venecias, – thotë Markert. – Por është shumë e rëndësishme që proçesi të jetë përfshirës dhe i mbështetur në një konsensus të gjerë politik”.
Top Channel