Aeroporti i rikonstruktuar “Leka i Madh” në Shkup, investim i kompanisë turke “Aeroporte TAV”, nis sot zyrtarisht funksionimin.
Aeroporti është dhjetë herë më i madh nga sa ka qenë deri më sot dhe me kapacitete për të siguruar shërbim për katër milionë pasagjerë në vit.
Në aeroportin e Shkupit, të cilin “TAV” e mori me koncesion në mars të vitit të kaluar dhe do ta menaxhojë në 20 vitet e ardhshme, kompania turke investoi 100 milionë euro.
Modernizimi dhe ndërtimi i tij zgjatën 18 muaj. Me shtimin e ndërtesës së re terminale prej 40 mijë metrash katrorë dhe me gjashtë ura për udhëtarët, “TAV” e rriti kapacitetin në 4 milionë udhëtarë, zgjeroi pistën, depon e bagazheve dhe hapësirën e parkingut.
Gjithashtu, është ndërtuar edhe një hangar për mallrat me një kapacitet prej 40 mijë tonelatash në vit, një stacion i ri zjarrfikës, një parking për 1.300 automjete, 23 vende për kontrolle, ndërsa pista e zakonshme është e zgjeruar me 500 metra.
Top Channel