Ministri britanik për Evropën, David Lidington ka shprehur mbështetjen e
Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës dhe rrugës së saj drejt BE-së.
“Britania e Madhe e përkrah fuqishëm Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian”, ka deklaruar Lidington në një takim të zhvilluar me ministren kosovare të Integrimit, Vlora Citaku.
Ndër të tjera, zyrtari i lartë britanik ka nënvizuar se Londra është “thellësisht e përfshirë” në bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Arritja e marrëveshjeve në Bruksel shënon hapa pozitivë dhe sjell dy vendet më afër Bashkimit Evropian”, ka nënvizuar Lidington.
Në Bruksel javen e shkuar perfundoi raundi i bisedimeve, qe megjithese u zhvillua ne klime te tensionuar, konkludoi me dy marrëveshje, një për vulat doganore dhe për regjistrin kadastral. Sipas palëve pjesëmarrëse, zbatimi i marrëveshjes për vulat pritet të ndodhë shumë shpejt.
Zëvendëskryeministrja e vendit, kryenegociatorja Edita Tahiri, duke i vlerësuar shumë të rëndësishme marrëveshjet e arritura me Serbinë për njohjen e vulave doganore dhe kthimin e dokumenteve kadastrale, ka deklaruar se shteti serb me këtë akt e ka pranuar pavarësinë e Kosovës në fushën e doganave.
Tahiri, theksoi se me arritjen e këtyre marrëveshjeve, institucionet e Kosovës jo vetëm që kanë respektuar Kushtetutën, por edhe e kanë avancuar dhe fuqizuar interesin shtetëror dhe qytetar, duke shtuar se “gardianë” të respektimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja.
Lila: Embargoja mbetet në fuqi
Ministrja kosovare e Tregtisë, Mimoza Kusari Lila ka deklaruar se marrëveshja për vulat doganore me Beogradin nuk nënkupton heqjen menjëherë të masave të reciprocitetit.
“Vendimi për reciprocitetin do të ndryshojë në momentin kur të jenë plotësuar të gjitha kushtet”, ka deklaruar Lila.
Ministrja ka saktësuar se tani do të mbikëqyren të gjithë elementët e implementimit të marrëveshjes për të marrë vendime të mëtejshme.
Lila, njëkohësisht zëvendëskryeministre e Kosovës, ishte zyrtarja që firmosi vendosjen e masave të reciprocitetit kundrejt Serbisë, të cilat ndalojnë hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.
Top Channel